Lidhje

SHBA: Prokurori i Përgjitshëm Barr nuk paraqitet në Komisionin e Kongresit


Kryetari i Komisionit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jarrold Nadler tha se “momenti i përgjegjësisë” për Prokurorin e Përgjithshëm William Barr do të vijë së shpejti, pasi ai refuzoi të respektojë kërkesat lidhur me raportin e Prokurorit të Posaçëm lidhur me hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Zoti Barr nuk u paraqit në këtë komision të enjten, pasi Departamenti i Drejtësisë ishte kundër një lëvizjeje për të lejuar juristët në personelin e komisionit që të merrnin pjesë për t’i drejtuar atij pyetje.

Departamenti i Drejtësisë gjithashtu nuk respektoi një afat për t’i dhënë komisionit raportin e plotë, të paredaktuar të Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller.

Demokrati Nadler, tha në seancën që zgjati vetëm 20 minuta se zoti Barr nuk i kishte bërë “qëndresë presidentit” dhe të trajtonte çështjen em”këtij rreziku të qartë ndaj rendit tonë kushtetues”.

Nënkryetari republikan i komisionit, Doug Collins, tha se “demokratët nuk e donin atë (zotin Barr) në seancë sot” dhe shtoi se “loja dhe cirku vazhdojnë këtu”.

Pak pas seancës, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e akuzoi zotin Barr se kishte gënjyer Kongresin kur dëshmoi më 9 prill se nuk ishte në dijeni të shqetësimeve të zotit Mueller për mënyrën se si i kishte paraqitur publikisht përfundimet e prokuroorit të posaçëm.

Departamenti i Drejtësisë bëri të mërkurën publike një letër të zotit Mueller drejtuar Prokurorit të Përgjitshëm Barr që pasqyron shqetësimet e zotit Mueller para seancës së 9 prillit.

"Ai gënjeu Kongresin. Nëse do ta kishte bërë një gjë të tillë dikush tjetër, do të konsiderohej krim”, tha zonja Pelosi.

Dëshmia në Senat

Të mërkurën Prokurori i Përgjithshëm Barr dha një dëshmi në senat, për herë të parë që nga publikimi i raportit të posaçëm të Prokurorit Special Robert Mueller për Rusinë dhe u përball me kritika të ashpra nga demokratët mbi mënyrën se si e trajtoi këtë dokument. Zoti Barr mbrojti permbledhjen e tij mbi konkluzionet e zotit Mueller.

Demokratët e akuzuan zotin Barr se e kishte trajtuar raportin në mënyrë të tillë, që përfitues të ishte Presidenti Trump.

Pas publikimit të përmbledhjes së raportit nga zoti Barr, vetë Presidenti Trump tha se raporti e shkarkonte atë nga çdo dyshim për lidhje me Rusinë.

Pastaj raporti u publikua i plotë, duke detajuar shumë veprime të dyshimta ligjore nga zoti Trump dhe rrethi i tij i brendshëm.

Këtë javë u zbulua një letër që zoti Mueller i kishte shkruar zotit Barr, ku thotë se përmbledhja e Prokurorit të Përgjithshëm per raportin ishte jo e plotë dhe nxiti "konfuzion në publik" rreth rezultateve të hetimit.

"Ju njoftuat se presidenti kishte dalë i pastër 25 ditë para se publiku ta lexonte të plotë raportin e zotit Mueller. Mendoj se kjo është arsyeja që Prokurori Special Mueller mendoi se letra juaj prej katër faqesh krijoi konfuzion në publik", tha senatori demokrat Chris Coons.

Zoti Barr këmbënguli se ai ishte i fokusuar tek pjesa e fundit e raportit të zotit Mueller, që ishte më tepër në favor të zotit Trump: asnjë bashkëpunim i dokumentuar me Rusinë dhe prova të pamjaftueshme që presidenti ka penguar drejtësinë.

"Unë mora vendimin se duhet të publikonim disa informacione nga faqet e fundit të raportit. Vendi po kalonte një periudhë me shumë shqetësime. Kishte një interes masiv për të mësuar se cilat ishin rezultatet përfundimtare të hetimit Mueller, veçanërisht për bashkëpunimin me Rusinë ".

Zoti Barr shtoi se ai në fund të fundit eliminoi shqetësimet e zotit Mueller, duke publikuar raportin e Prokurorit Special, duke përfshirë edhe pjesë që mund të mos kenë qene të pëlqyeshme per presidentin. Ndërkohë, republikanët argumentuan se Prokurori i Përgjithshëm e kishte për detyrë të largonte renë e dyshimeve ligjore që kishin rënë mbi Presidentin Trump për vite me radhë.

"Herë pas here, kundërshtarët politikë të presidentit e kanë shfrytëzuar hetimin e zotit Mueller, vetë ekzistencën e tij, për të përhapur aludime të pabaza, në një përpjekje për të minuar legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2016", tha senatori republikan Mike Lee.

Demokratët vunë në dukje se në dëshminë e mëparshme, zoti Barr kishte mohuar se ekipi i zotit Mueller e kishte kundërshtuar përmbledhjen e përgatitur prej tij. Zoti Barr u përgjigj se Prokurori Special Mueller i kishte thënë atij drejtpërdrejt se ai ishte i shqetësuar më tepër me trajtimin nga mediat të letrës së zotit Barr, sesa me vetë përmbledhjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG