Lidhje

Barr: Do të mbroj hetimin rreth Rusisë


William Barr

William Barr, i emëruar nga Presidenti Donald Trump si Prokuror i ardhshëm i Përgjithshëm thotë se Rusia është një "rivale e fuqishme e Shteteve të Bashkuara", por jo aq e rrezikshme sa Kina.

Zoti Barr u mor në pyetje nga Komisioni Juridik i Senatit të martën në fillim të seancave për konfirmimin e tij e cila vazhdon edhe sot.

Ai tha se Rusia është më pak e fuqishme nga sa ishte gjatë Luftës së Ftohtë, por presidenti i saj, Vladimir Putin, po punon për të rritur ndikimin e Moskës në botë.

William Barr i tha Komisionit Juridik të Senatit se ai nuk do të pengojë përfundimin e një hetimi për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016:

"Besoj se është në interesin më të mirë të të gjithëve - presidentit, Kongresit dhe popullit amerikan - që kjo çështje të zgjidhet duke e lejuar Prokurorin e Posaçëm që të përfundojë punën e tij."

William Barr ka qenë kritik ndaj hetimit, të cilin Presidenti Trump e quan një "gjueti shtrigash". Por ai shprehu besim tek Robert Mueller i cili po kryen hetimet.

Në seancën dëgjimore, William Barr tha se Putini po punon për të dobësuar aleancat amerikane në Evropë dhe për të rritur ndikimin e tij në Lindjen e Mesme. Por ai shtoi se Kina është një rival shumë më i fuqishëm për Shtetet e Bashkuara:

"Rusia është gjysma e madhësisë që ishte kur u përballëm me ta në kulmin e Luftës së Ftohtë. Ekonomia e tyre nuk është kërkund pranë Kinës. Unë gjithashtu mendoj se synimi i Rusisë është të përpiqet të mbajë Ukrainën dhe Bjellorusinë në orbitën e saj. Por jam gjithashtu i shqetësuar se fiksimi tek Rusia nuk e zbeh rrezikun nga Kina".

Demokratët në komision donin të dinin nëse zoti Barr, i cili ka qenë gjithashtu Prokuror i Përgjithshëm nën presidentin George H.W. Bush, mund të qëndrojë i pa ndikuar nga Presidenti Trump.

"Kur sheh sa shumë njerëz po largohen nga Shtëpia e Bardhë në çdo nivel, përse e do një punë të tillë?", e pyeti senatori Dick Durbin.

Barr tha se nuk ka nevojë për punë dhe nuk do të jetë nën presion për të bërë ndonjë gjë të papërshtatshme:

"Mendoj se jam në një pozitë në jetë, kur mund të siguroj udhëheqjen e nevojshme për të mbrojtur pavarësinë dhe reputacionin e departamentit të drejtësisë".

I emëruari i presidentit nuk premtoi të bënte publik raportin përfundimtar të shumëpritur të prokurorit Mueller, duke thënë vetëm se shpresonte të zbulonte sa më shumë gjetje që të ishin "në përputhje me ligjet dhe rregulloret".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG