Lidhje

Basha i përgjigjet Ramës: Gati të takohemi


Pas ftesës së kryeministrit për cështjen e reformës territoriale, kreu i opozitës kërkon që kryeministri të shprehet publikisht për “votimin me konsensus të reformës në sallën e parlamentit

Në Shqipëri kreu i opozitës Lulzim Basha i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama për një takim të mundshëm për cështjen e reformës territoriale. Në letrën e tij zoti Basha shprehet se pavarësisht tensioneve të forta politike dhe “ngushtimit kritik të hapësirave të opozitës në parlament... partia demokratike dhe unë i qëndrojmë e do t’i qëndrojmë deri në fund dialogut si vlerë dhe si mundësi e pazëvendësueshme për ecjen përpara të reformave në vend”.

Takimi Rama Basha
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00
“Në këtë kontekst – vazhdon letra - ne jemi të gatshëm të takohemi në çdo nivel, për çdo problem në interes të vendit dhe demokracisë, në radhë të parë për pesë prioritetet e marrjes së statusit dhe hapjes së negociatave me BE si interes suprem kombëtar. Por edhe për reformën administrative-territoriale”.

Që prej fundit të janarit të kaluar, parlamenti ka miratuar, vetëm me votat e shumicës ngritjen e një komisioni të posacëm për reformën, ku opozitës i është lënë një numër i barabartë anëtarësh me shumicën, bashkëkryesimi i komisionit dhe e drejta e vetos. Opozita ka refuzuar të bëhet pjesë deri më tani duke e kushtëzuar përfshirjen në këtë reformë me “garancitë e munguara për respektimin e konsensusit”, pasi sipas saj, shumica ka dëshmuar se i shkel marrëveshjet, duke ju referuar këtu, shtyrjes në kohë të efekteve të ligjit për nëpunësin civil, i cili ishte miratuar me pëlqimin e palëve majin e kaluar. Në letrën e tij të së shtunës, kryeministri Rama vinte në dukje se “edhe fakti se e presim tanimë prej kohësh opozitën të vijë në komision, dëshmon qartë vullnetin për ta nisur e bitisur së bashku këtë proces”.

Sipas kryetarit të opozitës Basha “pika kyçe që mbetet për t’u pohuar qartë dhe publikisht është një dhe vetëm një: jeni apo nuk jeni për votimin me konsensus të kësaj reforme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Konsensusi në komision është i pamjaftueshëm”, përfundon ai letrën drejtuar kryeministrit. Në një intervistë të pak ditë më parë në Top Channel, lidhur me këtë aspekt, zoti Rama deklaroi se “Nëse kërkesa është që produkti konsensual i komisionit të të mos përmbyset nga Kuvendi, absolutisht po. Nëse komisioni nuk ka votim konsensual, atëherë nuk ka kuptim që të kalojë në Parlament”.
XS
SM
MD
LG