Lidhje

Propozime për Brexitin në takimin e BE-së


Kryeministrja britanike, Theresa May thotë se vendi i saj ka ofruar një propozim të drejtë dhe shumë serioz për të ardhmen e shtetasve të BE-së me banim në Britani. Përveç statusit të qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian që jetojnë prej vitesh në Britani, udhëheqësit e BE-së po diskutojnë edhe politikat e imigracionin dhe sigurinë e përbashkët përballë kërcënimeve terroriste.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se siguria e Evropës është një ndër temat parësore, pas sulmeve terroriste që kanë tronditur Evropën gjatë javëve të fundit. Siguria dhe masat anti-terroriste ishin në qendër të diskutimeve gjatë ditës së parë të takimit, dje. Zonja Merkel foli për nevojën për të penguar propagandën e Shtetit Islamik. Por ajo shtoi se masat anti-terroriste do të zbatohen duke u munduar për të respektuar plotësisht të drejtën e privacisë dhe të drejta të tjera civile të qytetarëve.

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropia ishte një tjetër temë kryesore e këtij takimi. Kryeministrja britanike Theresa May tha se qeveria e saj do të parashtrojë hollësi të reja mbi propozimet që ka ofruar për shkëputjen nga Bashkimi Evropian. Zonja May i bëri komentet në ditën e dytë të takimit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian:

“Dua t’i siguroj të gjithë ata qytetarë të BE-së që ndodhen në Britani, që kanë ndërtuar jetë në Britani, se asnjë nuk do të detyrohet të largohet. Nuk do të ketë ndarje familjesh. Kemi prezantuar një ofertë të drejtë dhe serioze që do t’u japë qytetarëve të BE-së që jetojnë në Britani, siguri për të ardhmen e tyre, por dua që të njëjtën siguri të kenë edhe shtetasit britanikë që jetojnë në vende të BE-së,” tha kryeministrja May.

Kryeministrja Theresa May ka propozuar t’u ofrojë shtetësi britanike shtetasve të BE-së që kanë jetuar në Britani për të paktën pesë vjet. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se propozimi ishte një fillim i mirë për negociatat e Brexit-it.

Por udhëheqës të tjerë të BE-së nuk janë të bindur se propozimet janë të mjaftueshme. Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani tha se arritja e zgjidhjes kërkon pragmatizëm dhe nuk duhet harruar se bashkëpunimi me Britaninë do të vazhdojë edhe pas Brexit-it:

“Britania do të dalë nga Bashkimi Evropian, jo nga Evropa. Kjo marrëveshje ka rëndësi pasi krijon terrenin për marrëdhënie të mira pas ndarjes,” tha zoti Tajani.

Zoti Tajani foli edhe për nevojën që t’i gjendet një zgjidhje krizës aktuale të imigracionit. Ai tha se Evropa duhet të bëjë më shumë për të ndalur valën e imigrantëve që vijnë në Evropë nga Afrika nënsahariane përmes Libisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG