Lidhje

BE: Britania të mbetet në bllok


Udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian shprehën besimin dhe interesimin e tyre që Britania të mbetet anëtare e bllokut prej 28 vendesh. Ndërkohë, Kryeministri Britanik Cameron paralajmëroi se ai nuk do të pranojë një marrëveshje që nuk i plotëson nevojat e vendit të tij.

Në prag të një takimi të nivelit të lartë dy-ditor në Bruksel, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se ai është "mjaft i sigurt" se Britania do të mbetet "anëtare konstruktive dhe aktive" e BE-së.

"Jam mjaft i sigurt se ne do të arrijmë marrëveshje. Na duhet të zgjidhim një numër çështjesh dhe unë jam i bindur se Britania do të jetë një anëtare konstruktive dhe aktive e Bashkimit Evropian."

Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schultz tha se ekziston një interesim i madh për të siguruar se Britania do të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian.

"Së bashku jemi më të fortë. Ne do të punojmë në mënyrë konstruktive për të siguruar se ajo për të cilën është rënë dakord do të bëhet në fakt legjislacion në Bashkimin Evropian."

Gjatë kësaj jave, Kryeministri britanik David Cameron siguroi një angazhim nga të dy udhëheqësit e BE-së se ata do të ndihmonin për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë lidhur me reformat e BE-së që ai kërkon.

Sot, pas arritjes në Bruksel, zoti Cameron paralajmëroi se ai nuk do të pranojë një marrëveshje që nuk i plotëson nevojat e vendit të tij.

"Unë do të luftoj për Britaninë. Në qoftë se do të kemi një marrëveshje të mirë, do ta pranoj atë. Por unë nuk mund të pranoj një marrëveshje që nuk i plotëson ato për të cilat ne kemi nevojë. Mendoj se është shumë më e rëndësishme ta bëjmë këtë si duhet se sa të nxitohemi. Por me vullnet të mirë dhe me punë, ne mund të arrijmë një marrëveshje më të mirë për Britaninë."

Zoti Cameron ka katër kërkesa kryesore: kufizime të ndihmave sociale për emigrantët për të frenuar imigracionin, masa mbrojtëse për Britaninë, e cila nuk përdor euron, rritjen e konkurrueshmërisë së Bashkimit Evropian dhe dhënien e sqarimeve se Britania nuk është e detyruar formalisht të punojë drejt një bashkimi më të ngushtë me partnerët e saj evropianë.

Gjatë takimit të enjten dhe të premten në Bruksel, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë rrugët për tu përballur me krizën e refugjatëve dhe emigrantëve, më e rënda me të cilën ndeshet kontinenti që prej Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG