Lidhje

BE përgatit sanksione të mëtejshme për Rusinë


Bashkimi Evropian po përgatit sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, si përgjigje ndaj aneksimit të gadishullit të Krimesë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot para parlamentit gjerman se BE-ja është gati të marrë masa të mëtejshme.

"Këshilli Evropian do ta bëjë të qartë sot dhe nesër se nëse situata keqësohet, do të vendosen sanksione të nivelit të tretë dhe nuk ka dyshim që sanksionet ekonomike do të jenë pjesë e tyre”.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa të ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve ndaj zyrtarëve rusë që janë konsideruar përgjegjës për inklursionin në Krime.

Kancelarja Merkel tha gjithashtu se forumi i Grupit të Tetëshes është pezulluar pa afat përsa kohë vazhdon bllokimi diplomatik me Rusinë. Rusia mban presidencën e radhës të grupit dhe Presidenti Vladimir Putin parashikohej të drejtonte një takim të nivelit të lartë përfshirë Presidentin Barack Obama në qershor.

Ndërkohë Presidenti në detyrë i Ukrainës, Oleksandr Turchynov thotë se komandanti i marinës së vendit, Sergei Haiduk si edhe një numër i papërcaktuar pengjesh civile, është liruar pasi u mbajt nga forcat ruse dhe autoritetet e Krimesë në selinë e marinës në rajon.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel për një takim të nivelit të lartë ku do të diskutohet për Ukrainën.
XS
SM
MD
LG