Lidhje

BE përshëndet marrëveshjen e arritur me Greqinë mbi reformat ekonomike


BE përshëndet marrëveshjen e arritur me Greqinë mbi reformat ekonomike
BE përshëndet marrëveshjen e arritur me Greqinë mbi reformat ekonomike

Bashkimi Evropian përshëndeti një marrëveshje të arritur me Greqinë lidhur me reformat e sa ekonomike dhe fiskale që do ta ndihmonin të shmangte falimentimin. Udhëheqësit evropianë komentuan në ditën e dytë të takimit të nivelit të lartë të BE-së sot në Bruksel.

Kancelarja gjermane Angela Merkel përshëndeti lajmin se Ministri i ri grek i Financave ka arritur një marrëveshje me inspektorët e Bashkimit Evropian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritje të tjera taksash dhe shkurtime shpenzimesh që synojnë të plotësojnë hendekun prej miliarda dollarësh në pagesat e Greqisë. Si shkëmbim, udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të japin në kohë këstin tjetër të kredisë për ta shpëtuar Greqinë nga falimentimi.

Greqisë i duhen 17 miliard euro ndihmë nga vendet Evropiane dhe FMN-ja për të shmangur falimentimin në mes të korrikut. Një mospagim i borxhit mund të infektonte të gjithë zonën e Euros dhe do të shkaktonte tronditje në mbarë ekonominë botërore.

"Ishte një mesazh i mirë që Greqia u takua me Treshen, KomisioniN Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe FMN-në, dhe që ata ranë dakord rreth kontributit që duhet të japë Greqia. Ne kemi rënë dakord mbi një program të ri për Greqinë, për të cilin parlamenti grek duhet të votojë javën e ardhshme e pastaj ne do të flasim për paketën e ndihmës", u tha kancelarja Merkel gazetarëve në ditën e dytë të takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe kreditorët e Greqisë thonë se marrëveshja duhet të përkthehet tani në masa konkrete legjislative deri në fund të qershorit, përpara se ata të paguajnë këstin tjetër të kredive prej 17 miliard dollarësh, nga paketa e shpëtimit financiar prej 160 miliard dollarësh e premtuar vitin e kaluar.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barroso tha se privatizimet dhe konsolidimi fiskal janë të domosdoshme për Greqinë. Ai bëri gjithashtu thirrje për masa që do të nxisnin shtimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në Greqi.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian konfirmoi se italiani Mario Dragi do të jetë presidenti i ardhshëm i Bankës Qendrore Evropiane, i cili do t’i zerë vendin zotit Zhan Klod Trishe, kur atij t’i mbarojë mandati në tetor. Njoftimi për emërimin e Dragit u jep investitorëve njëfarë sigurie se kush do ta drejtojë Bankën tani që evropianët përpiqen të zgjidhin problemin e borxhit të Greqisë.

XS
SM
MD
LG