Lidhje

BE: Shqipëria ende punë për Statusin


Linkevičius: Statusi është i arritshëm por kërkohet më shumë kundër krimit dhe korrupsionit. I rëndësishëm dhe dialogu politik

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, vend i cili ka presidencën e radhës së Bashkimit europian tha sot në Tiranë se “statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm,por vendi duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Ministri Linas Linkevičius zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri së bashku me ministrin e jashtëm rumun Titus Corlăţean, ky i fundit në cilësinë e presidentit të procesit të bashkëpunimit të vendeve të europës juglindore. Të dy ministrat vunë theksin edhe te rëndësia e konsensusit politik për të cuar përpara procesin e integrimit europian

Ndërsa javën e ardhshme Komisioni europian pritet të paraqesë raportin e radhës për Shqipërinë, vendet anëtare të Bashkimit europian këmbëngulin në nevojën që Tirana të japë sinjale të qarta, në mënyrë që në dhjetor të mund të marrë statusin kandidat. Këtë e nënvizoi sot edhe ministri i jashtëm i Lituanisë Linas Linkevičius në përfundim të takimit që pati në Tiranës me ministrin e jashtëm shqiptar Ditmir Bushati: “Ne mund të konfirmojmë se ju dhe ne, jemi në rrugë të mbarë. Statusi është i arritshëm në dhjetor por ka ende disa gjëra që duhen bërë”.



Ministri Linkevičius, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së Bashkimit europian përmendi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimin e shtetit ligjor. Të njejtën ide ndau me të edhe ministri i jashtëm i Rumanisë i cili kryeson procesin e bashkëpunimit të vendeve të Europës juglindore Titus Corlăţean. Ministri Bushati rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për të cuar përpara këtë proces: “Statusi i vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim, përbën një orientim kombëtar dhe në këtë drejtim, reformat, kryesisht që kanë lidhje me shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, krimin e organizuar, reforma në administratën publike, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, përbëjnë një përparësi kryesore të programit të ri të qeverisë”.

Por ashtu si theksuan dhe zyrtarët më të lartë të Brukselit gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama, edhe sot në Tiranë të dy ministrat e jashtëm ripërsëritën rëndësinë e konsensusit dhe dialogut politik në përshpejtimin e procesit të integrimit. Edhe ministri Bushati u shpreh se: “Po kaq e rëndësishme për ne si qeveri është edhe klima e re politike dhe gjithë përfshirja dhe konsensusi ndërpartiak që duhet të ekzistojë. Ne do të punojmë që me çdo kusht të ekzistojë për procesin e integrimit europian, sepse siç e kemi thënë që në ditët e para që kemi marrë detyrën, ne jemi duke punuar dhe do të çojmë përpara një proces që nuk ka nisur me këtë qeveri, që do të thotë se, sukseset e paraardhësve tanë do të konsolidohen dhe në ato fusha ku ata tanë nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë reformat e duhura. I takon kësaj qeverie të bëjë këto reforma me gjithë vullnetin që ka”.

Megjithatë klima aktuale në vend nuk është premtuese dhe tensionet janë ngritur shpejt. Opozita javën e shkuar braktisi parlamentin në shenjë proteste ndaj shtyrjes së hyrjes në fuqi të ligjit për Nëpunësin civil dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka marrë pjesë as në komisionet parlamentare. Përfaqësuesit e saj nuk ishin as sot kur komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e së majtës aktin normativ të Qeverisë, i cili pritet të hidhet për votim në parlament të e njten e ardhshme
XS
SM
MD
LG