Lidhje

Debati për integrimin kulturor dhe etnik në Evropë


Sulmet terroriste në Bruksel dhe Paris kanë ngjallur debate në të dy kryeqytetet se si mund të integrohen më mirë komunitetet e varfëra të emigrantëve, prej nga erdhën shumë prej terroristëve. Por çfarë saktësisht do të thotë integrim në Evropën e sotme multi-kulturore që ndryshon me shpejtësi? Lisa Bryant e Zërit të Amerikës përpiqet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje në lagjen Molenbeek të Brukselit dhe në periferinë Sevran të Parisit.

Molenbeek është vetëm gjysmë ore në këmbë nga zemra historike e Brukselit, por, në shumë aspekte, është një botë me vete.

Këtu jetojnë më shumë se gjashtë kombësi të ndryshme, edhe pse marokenët janë komuniteti mbizotërues. Është një vend i shpresave të thyera dhe i papunësisë së lartë.

"Dëgjojmë shumë fëmijë të thonë se nuk ndihen si pjesë e shoqërisë. Ata thonë se nuk ka asgjë për ta, nuk ka punë, as banim të përshtatshëm", thotë mësuesi Thomas Devos.

Shoqata të tilla si Jes, po përpiqen ta ndryshojnë gjendjen. Por ata përballen me një realitet tjetër: me emrin e keq që ka marrë Molenbeeku si vatër e radikalizmit në Evropë.

Pikërisht në Molenbeek u kthyen disa xhihadistë nga Siria dhe ku u formuan një pjesë e të dyshuarve për sulmet terroriste të Parisit dhe Brukselit.

Për disa belgë, sulmet dhe vetë Molenbeeku pasqyrojnë dështimin e vendit të tyre për të integruar komunitetin e tij të madh musliman të emigrantëve.

"Jam i indinjuar ... çfarë bëmë ne? Çfarë bënë këto viktima? Asgjë”, thotë Bertrand Pierson, një biznesmen.

Ekspertët thonë se realiteti nuk është kaq i thjeshtë. Shumë emigrantë muslimanë ndihen belgë ... edhe pse jo gjithmonë ndihen të pranuar.

"Po, unë ndihem pak me turp, si shumë njerëz. Por janë njerëzit mendjengushtë që e mendojnë kështu. Unë mendoj se ne kemi nevojë të ecim përpara së bashku. Gjëja e parë është të ndalojmë veçimin e të rinjve në geto, që ata të mos ndihen se janë të refuzuar”, thotë Larbi Arbaoui, një emigrant maroken.

Sipas njoftimeve, të rinj muslimanë belgë po marrin kohët e fundit mesazhe SMS për të luftuar perëndimorët. Por, disa të rinj të Molenbeekut, sulmet e Brukselit i kanë bërë të mendohen thellë.

"Këta njerëz nuk kanë fe. Kushëria ime myslimane ishte në aeroport, dhe u plagos", thotë banori i Molenbeekut, Ayoub Bakkioui.

"Ndoshta më parë njerëzit nuk e mendonin se edhe ata mund të prekeshin, por tani e mendojnë. Sepse një familje u godit. Njerëzit të tyre u goditën”, thotë mësuesi Devos.

Të njëjtat konfliktet vërehen edhe në Francën fqinje. Ashtu si Belgjika, edhe Franca ka një komunitet të madh emigrantësh nga Afrika Veriore. Franca dhe Belgjika shihen si dy eksportuesit kryesorë evropianë të xhihadistëve në Siri dhe Irak.

"Këta fëmijë të brezitë të dytë e të tretë nuk ndihen francezë. Problemi është te paaftësia e këtij vendi për t’u përballur me historinë e tij dhe për të ndërtuar një histori të përbashkët", thotë eksperti i islamizmit Alexandre Piettre.

Sot, disa politikanë francezë pohojnë se në Francë ka me dhjetra Molenbeeks, duke përfshirë edhe disa nga periferitë famëkeqe të vendit me të ardhura të ulëta. Periferia Sevran ndodhet gjysmë ore larg me metro nga Parisi dhe shihet si njëra prej tyre.

Disa banorë në Sevran ankohen për rritje të radikalizmit. Një xhami ekstremiste u mbyll kohët e fundit.

Por Kryetari i Bashkisë, Stephane Gatignon thotë se problemi i Islamit radikal i kalon kufijtë e një qyteti të vetëm dhe duhet të luftohet në të gjithë vendin. Kjo do të thotë që integrimi në periferi si Sevrani të shihet me një sy tjetër.

XS
SM
MD
LG