Lidhje

Berisha: administrata në punë me ritëm të plotë


Qeveria e re e së majtës e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të nisë punën në shtator

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha kërkoi sot një angazhim të plotë të administratës në pritje të ardhjes së qeverisë së re të së majtës. Sipas kryeministrit cdo lloj demoralizimi do të ishte i pandershëm dhe i papranueshëm. Sipas ligjit, ekzekutivi i ri pritet të formohet në fillim të shtatorit kur do të konstituohet edhe parlamenti I dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Këto zgjedhje shënuan një humbje të thellë të së djathtës, e cila coi dhe në dorëheqjen, pas 22 vitesh të zotit Berisha nga drejtimi i partisë demokratike.


Kryeministri në largim Sali Berisha zhvilloi sot mbledhjen e parë të kabinetit të tij pas zgjedhjeve të së dielës të cilat shënuan një nga humbjet më të thella, me një shtrirje në të gjithë vendin, për të djathtën. Sipas ligjit shqiptar, qeveria e majtë nuk do të mund të marrë drejtimin e vendit deri në fillim të shtatorit kur do të konstitutohet edhe parlamenti i ri. Për këtë arsye zoti Berisha kërkoi sot që puna të vazhdojë me ritëm të plotë: “Detyra jonë është që deri ditën që Parlamenti të votojë kabinetin e ri dhe të dekretohet tek presidenti, qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitetet. Pra çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm”.

Angazhimin për të vazhduar me përkushtim sic u shpreh ai vetë, punën në krye të qeverisë, zoti Berisha e pohoi që mbrëmë kur njoftoi dorëheqjen nga drejtimi i Partisë demokratike forcë të cilën ai ka drejtuar për 22 vjet që nga shkurti i vitit 1991. Një vendim i diktuar nga rezultati zhgënjyes i votimeve të së dielës, por që sic ai vetë nënvizoi, nuk është një lamtumirë. “Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua, se për këtë humbje e tërë përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua, Sali Berishën. Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtetë më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike, të jem thjeshtë njëri prej jush, anëtar i i PD-së dhe deputet i saj”, tha zoti Berisha.

Ai është figura historike e së djathtës që ka dominuar skenën politike shqiptare. Në gjithë këto vite, partia demokratike është identifikuar me emrin dhe imazhin e tij. Të gjithë eksponentët e kësaj force janë emra të promovuar prej tij. Grupimet, rivalitetet e brendshme janë zhvilluar gjithashtu nën kontrollin e tij. Dhe do të jetë po ai që do të përgatisë kalimin e pushtetit te pasardhësi i tij. “Në përputhje me Statutin e Partisë, do të qëndrojë në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim në udhëheqjen e tij drejt fitores së betejës me të afërt që na pret”, deklaroi mbreme zoti Berisha.

Emri më i kuotuar për të trashëguar drejtimin e partisë demokratike, ngjan të jetë ai i kryebashkiakut aktual të Tiranës Lulëzim Basha, me një ngjitje të shpejtë në nivelet e larta politike falë mbështetjes së hapur dhe të pakursyer së zotit Berisha.
XS
SM
MD
LG