Lidhje

Berisha-Thaci: integrimi në BE objektivi ynë


Kryeministri shqiptar mbështetje dialogut Prishtinë-Beograd. Thaci: “Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është në interesin e të gjitha vendeve të rajonit”

Në Tiranë kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe ai i Kosovës Hashim Thaci theksuan sot se objektivi i përbashkët i të dy vendeve është anëtarësimi në Bashkimin europian, hapësira ku kufijtë bëhen të parëndësishëm, thanë ata. Deklaratat e tyre vijnë pas kritikave të komunitetit ndërkombëtar për ashpërsimin e retorikës nacionaliste në Shqipëri. Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë se Shqipëria nuk ka patur e nuk ka asnjë pretendim territorial, ndërsa u shpreh se mbështet plotësisht dialogun Serbi Kosovë


Kryeministri shqiptar Sali Berisha i qëndroi sot larg termave mbi bashkimin e shqiptarëve dhe reagimit të tyre ndaj albanofobisë, të përdorura shpesh prej tij muajt e fundit e që provokuan shqetësim në komunitetin ndërkombëtar i cili bëri thirrje për heqje dorë nga retorika nacionaliste. Pas takimit me kryeministrin Hashim Thaci, I ftuar prej tij në Tiranë, zoti Berisha u shpreh se problematika e shqiptarëve merr zgjidhje me anëtarësimin në Bashkimin europian: “Ne jemi një komb, dy vende, dy administrata, ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen 1, kudo që janë, do të bëjmë gjithçka që të bashkohemi me Evropën. Ky proces i BE-së i jep një përgjigje të shkëlqyer problematikës, sikundër, ka një hapësirë shumë të madhe për të bërë tërësisht të parëndësishëm kufijtë”.

Edhe për kryeministrin Thaci, Brukseli është zgjidhja e vetme: “E vetmja alternativë për ne është integrimi evropian e në NATO. E tha edhe Kryeministri Berisha, kudo që ne të jemi, duhet të ndihemi si 1, do të jemi të bashkuar në familjen e madhe evropiane, në një rajon pa kufij”.

Kryeministri Berisha u shpreh se edhe ideja e tij për dhënien e nënshtetësisë të gjithë shqiptarëve, do të trajtohet në një moment të dytë për Kosovën e cila është në fazën e bisedimeve me Brukselin për liberalizimin e vizave: “Kjo do të zgjidhet me një marrëveshje të negociuar me qeverinë e Kosovës në një kohë të përshtatshme. Aktualisht konsolidimi i pavarësisë së Kosovës është interesi kombëtar i shqiptarëve dhe nuk mund të mendohet që të bëhet një by-pass që këtej të negociohet me Brukselin për vizat dhe këtej të them –“Hajde se do tua zgjidh unë”. Kjo nuk mund të ndodhë”.

Zoti Berisha konfirmoi edhe një herë mbështetje e plotë ndaj bisedimeve Prishtinë Beograd: “Zgjidhja e një problematike të shumtë, e trashëguar nga një e kaluar shumë e afërt midis republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë, është një arritje e rëndësishme për këto dy vende të pavarura dhe mbarë rajonin”.

Kryeministri Thaci foli me tone pozitive për ecurinë e bisedimeve me Beogradin dhe rezultatet e arritura të cilat tanimë duhet të përkthehen në marrëveshje të nënshkruara mes palëve: “Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është në interesin e të gjitha vendeve të rajonit, në interesin e përshpejtimit të integrimit të vendeve tona në NATO dhe në BE. Dialogu është e vetmja alternativë e problemeve ende të hapura që kanë mbetur mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

Takimi i tij i ardhshëm me kryeministrin serb Dacic është parashikuar të hënën e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG