Lidhje

ISIS thotë së "ushtari" i tij kreu sulmin në Berlin


I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë për sulmin me kamion mbi turmën e mbledhur ne tregun e krishtlindjeve ne Berlin, që la pas vetes 12 të vrarë.

Sulmuesi në Berlin "është ushtar i Shtetit Islamik dhe kreu sulmin duke ju përgjigjur thirrjeve për të goditur qytetarët e koalicionit të kryqtarëve", thuhet në një deklaratë të publikuar nga agjencia e grupit, Amaq.

Prokurorët gjermanë thanë më herët të martën se një person i arrestuar pas sulmit me kamion në një treg Krishtlindjesh të Berlinit është liruar për shkak se nuk kishin prova të mjaftueshme që e lidhnin atë me sulmin.

Prokurorët federalë thanë se personi në fjalë, një pakistanez i ardhur në Gjermani vitin e kaluar si azilkërkues, mohoi përfshirjen në sulmin që vrau 12 vetë dhe plagosi rreth 50 të tjerë.

Prokurorët thanë se dëshmitarët arritën ta ndjekin shoferin e kamionit deri në një farë vendi, por pastaj ai u humbi. Pamja e personit të arrestuar përputhej me përshkrimet e dëshmitarëve, por hetuesit nuk ishin në gjendje të provonin se ai ishte në kabinën e kamionit në kohën e sulmit.

Sipas ligjit gjerman, prokurorët kanë kohë deri në fund të ditës kalendarike për të kërkuar një urdhër arresti kur i dyshuari është në paraburgim.

Autoritetet thanë se nuk ka "asnjë dyshim" se sulmi i djeshëm me kamion në Berlin ishte i qëllimshëm. Personi i dyshuar, përplasi një kamion të vjedhur në një treg Krishtlindjesh, pranë kishës Kaizer Vilhelm, duke vrarë 12 persona dhe plagosur rreth 50.

Autoritetet gjermane e quajtën ngjarjen në Berlin “një akt terrorist” që kishte të gjitha shenjat e ekstremizmit islamik.

Kreu i Zyrës së Policisë Kriminale Federale, tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që një i dyshuar apo të dyshuar të përfshirë në ngjarjen e mbrëmshme të jenë ende të lirë, pavarësisht arrestimit të personit pak pas sulmit.

Kancelarja Angela Merkel dhe zyrtarë të tjerë të lartë gjermanë vendosën sot trëndafila të bardhë në vendin e ngjarjes. Zonja Merkel shoqërohej nga Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, ministri i jashtëm Frank-Walter Steinmeier dhe Kryebashkiaku i Berlinit Michael Mueller.

Zonja Merkel tha se autoritetet mendojnë se sulmi ishte një akt terrorist.

Ajo tha se do të ishte "tepër e rëndë për të gjithë” nëse përgjegjës për sulmin do të ishte dikush që kërkon mbrojtje dhe azil.

"Kjo do të ishte sidomos e neveritshme për shumë, shumë gjermanë, të cilët çdo ditë punojnë aktivisht për refugjatët, si dhe për ata njerëz të cilët në fakt kanë nevojë për mbrojtjen tonë dhe që bëjnë përpjekje për t'u integruar në vendin tonë," u tha ajo gazetarëve.

Shtëpia e Bardhë shprehu ngushëllime në një deklaratë me të cilën dënonte “atë që duket të ketë qenë një sulm terrorist."

Dëshmitarët thanë se tregu popullor i Krishtlindjeve ishte i mbushur me turistë dhe banorë vendës kur aty u përplas kamioni, që duket se ishte me shpejtësi më të madhe se 60 kilometra në orë. Autoritetet thanë se automjeti ishte i ngarkuar me trarë çeliku.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte bërë thirrje më herët për kujdes në sheshe dhe vende të tjera publike në të gjithë Evropën.

Ndërsa vazhdojnë ende hetimet për sulmet në Gjermani dhe në Turqi të hënën, Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump fajësoi terroristët islamikë për vrasjeti. Ai u zotua për çrrënjosjen e rrjeteve rajonale dhe globale të terroristëve.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG