Lidhje

Në prag të 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier vizituan sot një nga pjesët e pakta të mbetura nga Muri i Berlinit. Në prag të 25 vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit, Sekretari Kerry dhe ministri Steinmeier u takuan me nxënës të shkollave të mesme të cilët ishin pothuajse në të njëjtën moshë sa ç’ishte zoti Kerry kur jetonte në Berlin pas Luftës së Dytë Botërore.

Zoti Kerry, tha se Muri i Berlinit është një kujtesë “e lirisë që gëzojnë sot njerëzit që jetojnë në botën perëndimore".

"Pjesë e këtij muri dhe asaj që ai simbolizon rrëzimi i tij ndodhen në shumë vende të botës për të frymëzuar njerëzit. Ai qëndron aty gjithashtu për të na kujtuar betejën që ndodhi këtu dekada më parë , për të na kujtuar se lirinë që njerëzit gëzojnë sot në vende si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara – mundësia për të zgjedhur udhëheqësit politikë, aftësia për të kritikuar, për të ndjekur ato mundësi që na pëlqejnë; këto liri ende kërcënohen në vende të ndryshme të botës."

Në një konferencë shtypi në Berlin, zoti Steinmeier falenderoi Shtetet e Bashkuara “për mbështetjen pa kushte".

"Jemi të gëzuar që 25 vjet më vonë mund të themi se 25 vjet të shkuara ndarja e Gjermanisë u tejkalua ashtu si edhe ndarja e Evropës. Më lejoni të theksoj veçanërisht se e gjitha kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen pa kushte që na është dhënë nga Shtetet e Bashkuara dhe gjermanët nuk do ta harrojnë këtë asnjëherë."

Sot, gjatë vizitës në Gjermani, sekretari Kerry komentoi edhe për negociatat me Iranin dhe gjendjen në Ukrainë. Lidhur me programin bërthamor të Teheranit, ai tha se bota kërkon të shohë një Iran pa armë bërthamore. Sekretari Kerry tha gjithashtu se Ukraina mund të shërbejë si një urë lidhëse mes Rusisë dhe Evropës. Këtë vit, Bashkimi Evropian ka rënë dakord për një paketë ndihmash prej 14 miliardë dollarësh për të nxitur ekonominë e Ukrainës.

XS
SM
MD
LG