Lidhje

1 vit burg për Silvio Berlusconin


Një gjykatë italiane e dënoi sot ish kryeministrin për publikimin e transkripteve të nxjerra nga përgjimet e policisë

Silvio Berlusconi është akuzuar për përgjimin e paligjshëm të një politikani rival dhe më pas, informacionin, që kishte të bënte me një skandal bankar, e ka botuar në një gazetë që është pronë e të vëllait të tij.

Zoti Berlusconi i ka hedhur poshtë akuzat dhe tha se ai po persekutohet nga sistemi juridik i Italisë.

Jonathan Hopkin i universitetit prestigjioz, “Fakulteti Ekonomik i Londrës”, thotë se ka të ngjarë që zoti Berlusconi mos ta kryejë dënimin. Ai thotë se ish kryeministri i Italisë ka dy mundësi për të apeluar vendimin:

“ Një njeri si Berlusconi është i aftë që të paguajë avokatët më të mirë në vend dhe ka shumë mundësi që të rikthejë çdo dënim që i jepet”.

Por ai thotë se shqetësimet ligjore të zotit Berlusconit vazhdojnë. Ish udhëheqësi italian po përballet në apel me një akuzë për mashtrim me taksat dhe gjithashtu akuzohet për marrëdhënie seksuale me një prostitutë të mitur. Zoti Hopkins thotë se akuzat kanë njollosur imazhin politik të zotit Berlusconi në Itali.

Silvio Berlusconi dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011 por kandidoi përsëri në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Itali. Partia e tij “Njerëzit e Lirisë” doli e dyta në këto zgjedhje.

Por Jonathan Hopkinsi thotë se suksesi relativ i partisë së tij fsheh faktin që partia e zotit Berlusconit humbi një numër të madh votash krahasuar me zgjedhjet e vitit 2008.

Ai thotë se kjo erdhi kryesisht si pasojë e gjendjes ekonomike. Por ai shton se përballja ligjore e zotit Berlusconi në në një çështje ku përfshihet një prostitutë e mitur me emrin Karima El Mahroug, e njohur me emrin “Rubi - Hajdutja e Zemrave”, tronditi shumë italianë.

Zoti Hopkins thotë:

“Mendoj se përveç të gjitha hetimeve të drejtësisë me të cilat ai është përballur në vite, skandali me Rubin shkeli në kallo kryesisht votuesit e moshuar. Veçanërisht katolikët ishin të zemëruar me këtë akuzë - shumë më tepër se çmund të ishin të zemëruar me akuzat e tjera për mashtrime taksash apo mitmarrje”.

Zoti Berlusconi pritet të jetë i lirë gjatë procesit të apelimit të çështjes së përgjimit.
XS
SM
MD
LG