Lidhje

BERZH, ul parashikimin për Shqipërinë


Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pret një rritje me 2.3 përqind në 2015, nga 2.5 përqind që ishte parashikimi në pranverë

Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka rishikuar me ulje parashikimet e saj për ekonominë shqiptare në 2015. Sipas raportit të fundit të saj, mbi zhvillimet në vendet e Europës jug-lindore, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë në nivelin e 2.3 përqind, nga 2.5 përqind që ishin parashikimet e saj në pranverën e këtij viti.

Në mesin e 2015 dhe autoritetet shqiptare vlerësuan se ekonomia nuk do të rritej në nivelin 3 përqind të parashikuar prej tyre në fillim të vitit, por se do të zbriste në nivelin e 2.7 përqind. Të njejtin riverësim kishte bërë më parë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në tremujorin e parë ekonomia shqiptare u rrit me 2.82 përqind, ndërsa në të dytin me 2.53 përqind.

Sipas BERZH-it, “Shqipëria ka përballuar me sukses ndikimin e përmbytjeve të rënda në fillim të këtij viti, por qeveria po lufton për të arritur objektivat e miratuara sipas programit me e FMN-ën” shkruhet në raport, i cili vëren se “autoritetet rritën përpjekjet e tyre për uljen e informalitetit në ekonomi dhe promovuan në Prill 2015 Këshillin e Investimeve, i mbështetur nga BERZH, i cili synon përmirësimin e klimës së investimeve në periudhën afatmesme”. BERZH parasheh që rritja ekonomike të arrijë nivelin e 3.3 përqind në 2016 “mbështetur në pritshmëritë për përmirësime të situatës në eurozonë dhe fillimit të ndërtimeve të Trans-Adriatic Pipeline (TAP)”.

Dje dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko vërejti se aktiviteti ekonomik “ka rezultuar në kahun e poshtëm” të pritshmërive, duke deklaruar se rritja pritet të luhatet mes 2.5-2.7 përqind. Sipas tij “në ndryshim nga parashikimet paraardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë. Gjithashtu, këto projeksione sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur më tej kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredisë”, theksoi ai, ndërsa njoftoi vendimin e Këshillit Mbikqyrës për të ulur sërish normën bazë të interesit, e 14-a radhazi që nga viti 2011, dhe e dyta brenda këtij viti. Norma e interesit ka zbritur në një tjetër minimum historik në kuotën e 1.75 përqind. Guvernatori nxiti qeverinë të vazhdojë me realizimin e reformave strukturore duke theksuar se stimuli monetar “nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i reformave”.

XS
SM
MD
LG