Lidhje

Beteja elektorale për Kongresin amerikan në Kaliforni


Beteja elektorale për Kongresin amerikan në Kaliforni
Beteja elektorale për Kongresin amerikan në Kaliforni

Vullnetarë në Kaliforni dhe shtete të tjera të perëndimit amerikan po regjistrojnë votuesit latinë para zgjedhjeve.Grupi Voto Latino është një organizatë jo partiake. Por të dy partitë e mëdha politike po përpiqen të tëheqin këta votues të sapo regjistruar.

Në distriktin Orange të Kalifornisë, anëtarja e kongresit, Loreta Sançez, dëshiron të mobilizojë hispanikët, ndërsa kërkon të marrë edhe vota të tjera. Shumica e latinëve në Kaliforni janë regjistruar si demokratë. Sançez është vajzë e imigrantëve meksikanë. Por ekziston shqetësimi se disa hispanikë mund të mos shkojnë në qendrat e votimit, prandaj zonja Sanchez siguroi mbështetje kohët e fundit në një miting, ku bëri fushatë edhe ish presidenti Bill Klinton.

Anëtarja e kongresit Sançez, e cila ka shërbyer për gati 14 vjet në Dhomën e Pёrfaqësuesve të Kongresit amerikan, është mbërthyer në një garë të ngushtë me një imigrant vietnamez, republikanin Van Tran, i cili gëzon mbështetjen e figurave të rëndësishme republikane, mes tyre ish guvernatorja e Alaskës dhe ish kandidatja për nën-presidente, Serah Pejllin.

Tran ka lindur në Vietnam dhe ka një mbështetje të madhe mes komunitetit vietnamez në Amerikë, si për shembull nxënësja e shkollës së mesme, Vivian Le.

"Mendoj se ai është një kandidat shumë i mirë. Loretta Sanchez ka shërbyer për 14 vjet dhe duhet të largohet dhe në vend të saj të vijë Van Tran. Ne kemi nevojë për ndryshim".

Distrikti Orange ka shumë banorë latinë dhe numrin më të madh të imigrantëve vietnamezë në Shtetet e Bashkaura, prandaj republikanët shpresojnë të marrin mbështetje nga të dy këto grupe. Zoti Tran thotë se i kupton shqetësimet e të dy grupeve.

"Unë kam më shumë gjëra të përbashkëta si brez i parë imigrantësh në këtë vend me komunitetin e latinëve se sa kundërshtarja ime. Unë i kuptoj vështirësitë dhe sfidat e procesit të asimilimit, hendekun kulturor dhe atë gjuhësor, si dhe sfidat e familjeve, që duan të përshtaten dhe të jenë të vlefshme për vendin e tyre të ri".

Demokratja Sançez thotë se ajo i tërheq votuesit me rezultatet e punës së saj.

"Vietnamezo-amerikanët e këtushëm kanë të njëjtat probleme si edhe pjesa tjetër e komunitetit. Ata kanë biznese të vogla, nuk kanë sigurim shëndetësor për njerëzit e tyre, nuk mund të shpenzojnë shumë para, dhe disa prej tyre kanë mbyllur biznezet. Unë kam folur me ta rreth 16 ligjeve, që ne kemi miratuar në Kongres lidhur me bizneset e vogla".

Zoti Tran e ka akuzuar zonjën Sanchez se përdor racën për të shtuar mbështetjen mes votuesve hispanikë. Zonja Sanchez tha muajin e kaluar në një televizion spanjisht se republikanët dhe vietnamezët po përpiqen t’i marrin asaj vendin në Kongres dhe e quajti rivalin e saj anti imigrant dhe anti hispanik, por më vonë ajo kërkoi falje për këto komente.

Të dyja palët thonë se në një kohë të vështirë për zgjedhësit, ata duhet të jenë të mobilizuar për të fituar dhe të përhapin entuziazëm në ditët e mbetura para zgjedhjeve të 2 nëntorit.

XS
SM
MD
LG