Lidhje

Bill Klinton i bën thirrje Senatit të miratojë traktatin e ri START


Bill Klinton i bën thirrje Senatit të miratojë traktatin e ri START
Bill Klinton i bën thirrje Senatit të miratojë traktatin e ri START

Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, u është bashkuar atyre që i kanë bërë thirrje Senatit amerikan të ratifikojë traktatin e ri START për pakësimin e arsenaleve bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon se edhe dy senatorë të tjerë republikanë thanë se do të votojnë në favor të ratifikimit të traktatit.

Pas takimit me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, zoti Klinton u tha gazetarëve se beson se traktati i ri START është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

"Bashkëpunimi që ne do të kemi me Rusinë dhe mesazhi që do t’i dërgohet botës për mospërhapjen e armëve, ndërkohë që ka veprimtari të shumta që e ndihmojmë përhapjen e armëve bërthamore, është me shumë rëndësi”.

Zoti Klinton tha se traktati i ri START u jep udhëheqësve të sotëm një mundësi për pakësimin e armëve, mundësi që ai dhe homologu i tij rus nuk e kishin në vitet 90-të.

"Boris Jeltsini dhe unë ramë dakord në parim pikërisht për një shkurtim të tillë, por ishte e pamundur për të që ta miratonte në Dumën ruse në atë kohë, gjatë mandatit të tij të dytë. Prandaj ne nuk shkuam më tej, sepse nuk do të ratifikohej. Nuk jam i sigurt nëse Senati amerikan do ta kishte ratifikuar atëhere, por mendoj se do ta ratifikojë tani, me mjaft inkurajim”.

Shtëpia e Bardhë ka shprehur përsëri besimin se traktati do të ratifikohet këtë vit.

Senatoret republikane Olimpia Snou dhe Suzan Kollins kanë njoftuar se do ta mbështesin traktatin për shkurtimin e arsenaleve bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Në një deklaratë me shkrim, Senatorja Snou tha se ka besim se traktati i ri START do t’i bëjë më të besueshme marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

Negociatori kryesor republikan në Senat, Jon Kyl, ka thënë se nuk ka mbetur mjaft kohë në legjislaturën e këtij viti për ta ratifikuar traktatin. Por Senatori republikan nga Arizona, Xhon Mekein tha dje se shpreson që senati do të jetë në gjendje ta marrë në shqyrtim traktatin në javën e ardhëshme. Senatori i bëri komentet e tij dje në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins.

"Kolegu im, Senatori Jon Kyl, po bën një punë të madhe me administratën për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me modernizimin bërthamor. Unë i kam përqendruar përpjekjet e mia për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga raketat. Mendoj se jeme shumë pranë një marrëveshjeje”.

Megjithatë, Senatori Mekein sfidoi llogjkën e përpjekjeve të Presidentit Obama për një fillim të ri në marrëdhëniet me Rusinë dhe u bëri thirrje udhëheqësve për t’i parë në një spektër më të gjerë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i presidentit, Robert Gibs, u tha gazetarëve dje se Kongresi nuk do t’i japë fund sesionit të tanishëm para se Senati të ratifikojë traktatin e ri START dhe se zoti Obama nuk do të shkojë me pushime pa u miratuar marrëveshja. Presidenti ka në plan të niset për në Havai më 18 dhjetor. Një ditë më parë, zoti Gibs parashikoi se traktati do të ratifikohet në Senat para fundit të vitit me më shumë se 67 votat e nevojshme.

"Gjithça që ne kemi propozuar dhe që është mbështetur nga gjashtë sekretarët më të fundit republikanë të Shtetit ka patur edhe mbështetjen e popullit amerikan. Kjo është ajo që duhet bërë në marrëdhëniet tona me Rusinë dhe në marrëdhëniet tona me gjithë botën. Ne duhet të shkurtojmë arsenalet tona bërthamore. Mendoj se kjo do të bëhet pikërisht për këtë arsye”.

Të gjthë republikanët në Senat nënshkruan një letër javën e kaluar, në të cilën thoshin se duhej zgjidhur çështja e taksave para se të mereshin në shqyrtim ligje të tjera. Në qoftë se traktati nuk miratohet këtë vit, procesi do të nisë përsëri nga fillimi në vitin 2011, me një grup më të madh republikanësh në Senat.

XS
SM
MD
LG