Ish pjesëtari i forcave speciale amerikane të marinës “Navy Seal” që thotë se ishte ai që qëlloi dhe vrau udhëheqësin e al-Qaidës Osama bin Laden në vitin 2011, gjatë operacionit në Pakistan, ku bin Laden qëndronte i fshehur, bëri publik emrin e tij.
Robert O’Neill u prit me duartrokitje në shtetin Tenësi mbrëmjen e së enjtes para fillimit të një fjalimi.
“Jam krenar për atë që kam bërë. Por misioni im nuk ka përfunduar me largimin nga fusha e betejës.”
Fjalimi i zotit O’Neill vjen një ditë pasi ai i tregoi medias se ishte ai që kishte qëlluar tre herë ndaj bin Ladenit në kompleksin Abbottabad të Pakistanit.
Zoti O’Neill tregon se pjestari i parë i forcave speciale që hyri në dhomën e bin Ladenit e qëlloi atë një herë, por mesa duket plumbi nuk e goditi. O’Neill tha se ai e pa bin Ladenin përmes syzeve që shikojnë në errësirë.
Fjalimi i tij ssi anëtar i forcave speciale duket se frymëzoi disa në sallë.
“Është kënaqësi kur kemi kaq shumë njerëz këtu që njohin punën e mirë që bëhet dhe prania e këtij folësi të mrekullueshëm që tregoi historinë e tij na dha shembuj që mund t’i vëmë në zbatim çdo ditë.”
Ja se çfarë thotë një pjestar tjetër i audiencës:
“Është për t’u vlerësuar një ngjarje e tillë si dhe sherbimi i zotit O’Neil për vendin tonë.”
Qeveria amerikane po ashtu e ka vlerësuar zotin O’Neill dhe grupin e forcave speciale për suksesin e misionit. Megjithatë, komandanti i forcave speciale i ka udhëzuar pjestarët se ata nuk duhet të reklamojnë natyrën e punës së tyre apo të kërkojnë njohje për veprimet e tyre në shkëmbim të famës publike apo përfitimeve financiare. Një tjetër pjestar i forcave speciale që mori pjesë në asgjesimin e bin Ladenit ka shkruar një libër rreth operacionit.