Lidhje

Bisedë telefonike mes presidentëve Trump dhe Erdogan

  • Dorian Jones

Presidenti amerikan Donald Trump foli të martën në telefon me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, dhe Shtëpia e Bardhë e përshkroi bisedën 45-minutëshe si produktive.

Thirrja erdhi mes debatit rreth urdhrit ekzekutiv të presidentit Trump për pezullimin e përkohshëm të udhëtimeve nga shtate vende me shumicë myslimane, në të cilat veprojnë grupe terroriste.

Zoti Erdogan zakonisht është ndër të parët që flasin kundër padrejtësive të perceptuara ndaj myslimanëve dhe kundër islamofobisë. Analistët thonë se këtë herë ai ishte më i qetë në lidhje me çështjen e pezullimit të përkohshëm të udhëtimit.

"Kjo është një heshtje shurdhuese rreth zotit Trump. Nëse do të isha një mbështetës i tij, unë do të kisha shprehur pakënaqësinë dhe zhgënjimin tim", thotë eksperti i marrëdhënieve ndëkombëtare, Soli Ozel i Universitetit Kadir Has të Stambollit. "Por është shumë e qartë se ata nuk duan të kenë konflikt me presidentin amerikan, ka pritshmëri nga zoti Trump. Dhe ju e dini se nëse e kritikoni zotin Trump ai do të përgjigjet në të njejtën mënyrë. Për këtë arsye ekziston kjo heshtje."

Një nga pritshmëritë kryesore të zotit Erdogan është ndërprerja e mbështetjes ushtarake amerikane për grupin siran të kurdëve, YPG ose Njesitë e Mbrojtjes Popullore. Ky grup i kryengritësve kurd po udhëheq luftën për të marre kontrollin e qytetit sirian të Rakës, kryeqyteti i vetëshpallur i grupit Shteti Islamik.

Muajin e kaluar Pentagoni furnizoi me automjete ushtarake një koalicion luftëtarësh, duke përfshirë grupin YPG. Ky veprim alarmoi Ankaranë, e cila e akuzon grupin sirian kurd për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që po lufton kundër qeverisë turke, në përpjekje për të fituar të drejta më të mëdha për komunitetit kurd në Turqi.

"Në qoftë se kjo administratë amerikane në ditët e para vendos të furnizojë grupin YPG me armë, kjo me siguri do të shihet si një mesazh jo-miqësor në Ankara," paralajmëroi analisti Sinan Ulgen i Institutit Carnegie në Bruksel. "Dhe kjo gjithashtu do të jetë e rëndësishme për të kuptuar se si do të zhvillohen marrëdhëniet dypalëshe."

Burime presidenciale turke të cituara në mediat lokale pohojnë se dy udhëheqësit kanë rënë dakord të bashkëpunojnë në betejën për kotrollin Rakës dhe qytetit sirian të el-Babit, ku forcat turke janë të angazhuara në luftime për ta rimarrë atë nga Shteti Islamik. Të njëjtat burime pohojnë se edhe drejtori i CIA-s, Mike Pompeo së shpejti do të vizitojë Turqinë.

Duke marrë parasysh praninë e avionëve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara në bazat ajrore turke, përfshirë bazën Incirlik, e cila përdoret në operacionet kundër Shtetit Islamik, analistët sugjerojnë se Ankaraja ka një ndikim, megjithëse të kufizuar, mbi Uashingtonin.

XS
SM
MD
LG