Lidhje

Lëvizja “Black Lives Matter” kërkon drejtësi


Lëvizja “The Black Lives Matter” (“Jeta e zezakëve ka rëndësi”) po i përsërit thirrjet për t’i dhënë fund brutalitetit të policisë dhe kërkon që të bëhet reforma e drejtësisë në mbarë Shtetet e Bashkuara. Kjo lëvizje, e përbërë kryesisht nga aktivistë afrikano-amerikanë, po përpiqet të ndikojë tek opinioni publik dhe të ushtrojë presion tek politikanët, që ata ta trajtojnë çështjen e tyre.

Kjo është një thirrje që dëgjohet në mbarë vendin. Mijëra vetë që marshojnë në mbështetje të lëvizjes “The Black Lives Matter”.

Lëvizja mori formë në vitin 2014, pas disa përballjesh me policinë, në të cilat humbën jetën disa afrikano-amerikanë. Aktivistët thonë se duan të marrë fund brutaliteti i policisë dhe diskriminimi në lagjet e banuara kryesisht nga zezakë.

''Është shumë e rëndësishme, që të gjithë ne të bashkohemi dhe t’i japim fund kësaj gjendjeje,” - thotë aktivisti Rashhad Turner.

Mbështetja për “Black Lives Matter” shprehet tek mediat sociale dhe në demonstrimet nëpër rrugë.

"Këta oficerë policie duhen çuar në instancat më të larta të drejtësisë. Detyra e tyre është të mbrojnë njerëzit…”, thotë një banor i Baltimorës.

LëvizjaBlack Lives Matter” ka dhjetëra degë në mbarë vendin. Shumë nga pasuesit e saj janë politikisht të pavarur. Disa janë të paparashikueshëm, siç ndodhi në Siatëll, kur kandidati presidencial Bernie Sanders, po mbante një fjalim.

"Do t’i thoja Bërnit se sa racist është ky qytet…”

Kritikët thonë se lëvizja nuk po merr rezultatet e kërkuara nga ligjvënësit.

"Ka një numër të madh fëmijësh që kanë vdekur në duart e policisë; kjo shihet në mediat sociale. Ata thonë se jeta e zezakëve ka rëndësi, por nuk po bëjnë sa duhet”, thotë studentja Jasmine Barnett.

Pas vrasjes me ekzekutim të një zëvendës shefi policie nga një zezak në Hjuston, disa punonjës të rendit akuzuan grupin “Black Lives Matter” për nxitjen e tensioneve.

"Kemi dëgjuar se jeta e zezakëve ka rëndësi, po edhe ajo e policëve. Prandaj duhet thënë se të gjitha jetët kanë rëndësi”.

Mbështetësi i grupit “The Black Lives Matter” nuk është dakord me këtë.

"Kur themi se jeta e zezakëve ka rëndësi, nuk themi që jeta e të tjerëve nuk ka rëndësi. Jemi duke thënë se kemi nevojë për zezakët, që të mbijetojnë, që t’ju ndihmojmë ju të bardhët të kuptoni se çfarë po themi”, thotë Dennis Rodriguez.

"Të gjitha jetët njerëzore janë të rëndësishme. Nuk ka rëndësi ngjyra e lëkurës. Nëse je fëmijë dhe gjendesh papritur në mesin e një sulmi me armë, nuk ka rëndësi se cilës racë i përket”, thotë ish-futbollisti i Ligës Kombëtare, Ray Lewis​.​

Udhëheqësit e grupit “Black Lives Matter” thonë se kjo lëvizje po luan një rol të rëndësishëm në debatin për reformën e drejtësisë penale dhe në zhvillimin e një brezi të ri aktivistësh.

XS
SM
MD
LG