Lidhje

Bloomberg, 100 milion dollarë për fushatën Biden në Florida


Former New York Mayor Michael Bloomberg, left, visits with Democratic presidential candidate and former Vice President Joe Biden at the National Sept. 11 Memorial in New York, Sept. 11, 2020.

Michael Bloomberg, i cili shpenzoi 1 miliard dollarë nga paratë e veta për garën e tij të dështuar presidenciale në këtij viti, do të shpenzojë të paktën 100 milion të tjera për të ndihmuar fushatën e demokratit Joe Biden kundër presidentit Donald Trump në Florida.

Vendimi i miliarderit vjen në një moment kritik në 50 ditët e fundit të fushatës, me sondazhet që tregojnë një garë të ngushtë në shtetin fushëbetejë dhe pa asnjë avantazh financiar për presidentin Trump, ndërsa votimi me postë fillon këtë muaj.

Epërsia fillestare financiare e Presidentit Trump ndaj ish-nënpresidentit Biden u venit pasi fushata e republikanëve i shpenzoi shpejt paratë dhe mbledhja e fondeve nga demokratët u rrit pas përfundimit të zgjedhjeve paraprake.

"Mike Bloomberg është i angazhuar për të ndihmuar në mposhtjen e Presidentit Trump në shtetet e pavendosura", tha këshilltari i zotit Bloomberg, Kevin Sheekey, i cili shtoi se shpenzimet e ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut "do t’u ofrojnë demokratëve dhe fushatës së zotit Biden mundësinë që të investojnë më shumë në shtetet e tjera kyçe si Pensilvania, që do të jenë kritike për një fitore të zotit Biden."

"Mendova se Majku (Mike Bloomberg) i vogël kishte hequr dorë nga politika e demokratëve", shkroi Presidenti Trump në Twitter të dielën. "Ai më mirë të shpëtojë qytetin e Nju Jorkut," tha Presidenti.

Edhe para shpenzimeve të zotit Bloomberg, të dyja fushatat prisnin që Florida të ishte shteti më i shtrenjtë për fushatën zgjedhore. Florida do të jetë shteti, ku gara është e ngushtë, me numrin më të madh të votave elektorale në ditën e zgjedhjeve, duke ofruar 29 nga 270 votat e Kolegjit Zgjedhor të nevojshme për të fituar.

Votimi me postë në Florida fillon më 24 Shtator dhe zoti Biden do ta vizitojë për herë të parë këtë shtet të martën.

Presidenti Trump e fitoi Floridën me një epërsi prej 113,000 votash në zgjedhjet e vitit 2016, ose 1.2 për qind. Ai e ka bërë këtë shtet vendbanimin e tij zyrtar dhe e viziton rregullisht.

Sondazhet e fundit kanë treguar se zoti Biden ka një epërsi shumë të vogël ndaj Presidentit Trump në Florida, duke fituar avantazh me votuesit e moshuar dhe me latino-amerikanët. Njerëzit e moshës mbi 65 vjeç përbëjnë 20 për qind të popullsisë së shtetit, ndërsa latino-amerikanët 25 për qind.

Fushata e Presidentit Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan thanë se mblodhën 210 milion dollarë në muajin gusht, shumë larg rekordit të zotit Biden prej 364.5 milion dollarësh për muajin në të cilin të dyja partitë mbajtën kuvendet e tyre kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG