Lidhje

Bolton emërohet këshilltar i sigurisë kombëtare


Presidenti amerikan Donald Trump po zëvendëson këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, një tjetër ndryshim i rëndësishëm në serinë e lëvizjeve që ai ndërmerr në stafin e tij të nivelit të lartë gjatë 14 muajve në Shtëpinë e Bardhë.

Me një koment në Twitter të enjten mbrëma, Presidenti Trump njoftoi se gjeneral-lejtnant H.R. McMaster do të zëvendësohet nga John Bolton, ish-ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara dhe aktualisht analist në kanalin konservator Fox News.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Trump dhe gjenerali McMaster "ranë dakord reciprokisht" që ushtaraku i karrierës të jepte dorëheqjen nga ky post. Zyrtarët thanë se pas tërheqjes, gjenerali McMaster do të dalë në pension.

John Bolton ka qenë prej kohësh një figurë polarizuese në Uashington.

Ai shihet si njeri i vijës së ashpër dhe që favorizon ndëhyrjet për çështjet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.

Kohët e fundit zoti Bolton është shprehur që SHBA të godasin të parat Korenë e Veriut si dhe për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Nëntë vjet më parë ai u shpreh kështu për Korenë e Veriut:

"Ajo që unë mendoj se duhet të jetë objektivi themelor i politikës së jashtme amerikane është t’i bëjë trysni Koresë së Veriut deri në pikën që regjimi të mos qëndrojë dot më. Presioni i Kinës për një kohë të gjatë mund të sjellë ndryshimin për të arritur objektivin".

Shtëpia e Bardhë thotë se zoti Bolton do të ketë disa javë kohë për të zëvendësuar zotin McMaster, i cili do të qendrojë deri më 9 prill.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG