Lidhje

Përparojnë planet për ngritjen e murit SHBA – Meksikë


Sipas zyrës së doganave dhe rojes kufititare, paraqitja e projekteve për një propozim të debatueshëm për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit SHBA- Meksikë mund të fillojë në qershor të këtij viti.

Ndërsa zyrtarët nuk thonë se sa kompani u janë përgjigjur kërkesës së tyre të fundit, raportet e publikuara tregojnë se një numër firmash me përvojë në menaxhimin e projekteve të mëdha kanë shprehur interes. Kërkesa për këtë projekt mbulon pjesën e murit me beton dhe me materiale të tjera si gardh.

Ndërkohë, një kompani e vogël po punon me disa firma të tjera për dhënie kontratash për këtë projekt shumë miliarda dollarësh. Riverdale Mills, në Northbridge Massachusetts, tashmë ka furnizuar me gardh të sigurisë së lartë për 43 kilometra të vijës kufitare prej 3,000 kilometrash SHBA - Meksikë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtori i firmës Riverdale Mills, Jim Knott, thotë se kompania e tij mund të prodhojë gardhe çeliku që janë shumë të vështira për t’u kaluar ose kapërcyer. Nëse plani i përbashkët pranohet, ai thotë se kompania e tij mund të fillojë shpejt nga prodhimi i gardhit duke shtuar makineri dhe punëtorë, nëse është e nevojshme.

Ndërtimi i një muri për të mbajtur emigrantët e paligjshëm jashtë Shteteve të Bashkuara ishte një premtim i rëndësishëm nga kandidati Donald Trump gjatë fushatës presidenciale. Përafërsisht një e treta e kufirit tashmë ka një shumëllojshmëri gardhesh ose muresh. Megjithatë, në shumë zona, sidomos në rajonet me popullsi të rrallë, mungojnë struktura të tilla.

Muri i ri është menduar të jetë nëntë metra i lartë, me themel dy metra nëntokë, dhe estetik në pamje. Parashikohet që gjatë murit të krijohen porta për automjete, ndërsa struktura të jetë në gjendje të përballojë të paktën një orë përpjekje për ta thyer me çekiç, vare dhe mjete të tjera. Thuhet se ngritja e murit mund të kushtojë nga 8 miliardë deri në mbi 20 miliardë dollarë.

Kritikët që shprehin shqetësim rreth kostos thonë se kjo mund të dëmtojë tregtinë në zonat kufitare të Shteteve të Bashkuara, dhe do të shkaktojë probleme mjedisore. Kritikët thonë gjithashtu se shumë njerëz që janë në SHBA ilegalisht, kanë ardhur me aeroplan ligjërisht dhe pastaj e kanë tejkaluar vizën, një problem që nuk mund të zgjidhet duke ndërtuar mur. Presidenti Trump ka thënë se do t’i kërkojë Meksikës të paguajë për murin, ide që zyrtarët meksikanë e kundërshtojnë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG