Lidhje

Bosnjë: Vritet një polic në Zvornik


Autoritetet në Bosnje arrestuan një person, i cili kishte marrë pjesë në luftën e Sirisë, lidhur me një sulm ndaj një stacioni policie, ku mbeti i vrarë një polic

Autoritetet në Bosnje arrestuan një person, i cili kishte marrë pjesë në luftën e Sirisë, lidhur me një sulm ndaj një stacioni policie, ku mbeti i vrarë një polic, vetë autori i sulmit, dhe u plagosën dy policë të tjerë.

Megjithëse motivi nuk dihet, sulmi i mbrëmshëm në qytetin Zvornik, me shumicë serbe, ka rizgjuar shqetësime për radikalizimin islamik në Bosnje.

Autoritetet thonë se ka rreth 200 myslimanë nga Bosnja, që kanë marrë pjesë në luftrat në Siri dhe në Irak përkrah grupit ISIS. Autori i sulmit është identifikuar si Nerdin Ibriç, 24-vjeç. Ai u vra gjatë shkëmbimti të zjarrit me policinë.

Ministri i Sigurisë i Bosnjes tha se policia ka ndaluar një person tjetër që ka luftuar në Siri dhe që ka qenë në kontakt me autorin e sulmit.

***

Një person i armatosur sulmoi një stacion policie ne Zvornik, një qytet në verilindje të Bosnjës, duke vrarë një oficer policie dhe plagosur dy të tjerë para se të qëllohej për vdekje.

Agjencitë e lajmeve cituan policinë të ketë thënë se personi i armatosur thirri “Allahu Ekber” para se të qëllonte mbi policinë. Ministri i policisë në Republikën Serbe, Dragan Lukaç, tha se sulmuesi ishte Nerdin Ibriç, nga një fshat afër Zvornikut.

Zvorniku është një qytet në pjesën serbe të Bosnjës dhe shtrihet afër kufirit me Serbinë. Para luftës së viteve 1992-95, mbi 60 për qind e popullatës përbëhej nga myslimanët boshnjak. Pothuajse të gjithë ishin dëbuar dhe shumë ishin vrarë gjatë fushatës së serbëve për të krijuar një zonë të pastër serbe.

Serbët arritën të sigurojnë kontrollin mbi gjysmën e Bosnjës deri në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga amerikanët në vitin 1995 sipas së cilës secila palë mbajti pjesët e pushtuara. Kësisoj vendi përfundoi i ndarë në dy rajone realisht autonome – një për serbët dhe një tjetri i ndarë ndërmjet myslimanëve boshnjak dhe kroatëve. Të dyja rajonet kanë qeveritë e tyre, por janë të lidhur me qeverinë qendrore me seli në Sarajevë.

Pas luftës, vetëm disa mijëra myslimanë boshnjak u kthyen në Zvornik.

Policia tha se sulmuesi kishte hyrë në stacion më armë automatike dhe u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ata thanë se shërbimet e zbulimit kishin informacione të paqarta në lidhje me një sulm të mundshëm terrorist tre ditë më parë, por nuk e dinin se kur apo ku mund të ndodhë.

Qeveria e serbëve të Bosnjës thirri një takim urgjent dhe presidenti i Republikës serbe Milorad Dodik, i tha televizionit serb të Bosnjës se ai beson që sulmuesi është nxitur nga dikush tjetër, pavarësisht se veproi i vetëm.

Imami i xhamisë së Zvornikut, Mustafa Muharemoviç, e dënoi sulmin.

XS
SM
MD
LG