Lidhje

Mungon drejtësia për viktimat e përdhunimeve në Bosnje


Sipas një raporti të pubublikuar së fundi të Organizatës "Amnesty International", ende nuk është vënë në vend drejtësia për dhjetra mijëra gra që mundën t'i shpëtojnë skllavërimit dhe përdhunimeve gjatë luftës së Bosnjes të viteve 1992-95. Një çerek shekulli pas fillimit të konfliktit, aktivistë të të drejtave thonë se gratë e mbijetuara jetojnë në varfëri dhe kanë humbur çdo shpresë që autorët e krimeve ndaj tyre do të përballen me një proces të drejtë gjyqësor.

Më tepër se 20 mijë gra boshnjake u bënë objekt i përdhunimeve dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Ballkan. Shumë prej tyre u ndaluan për muaj të tërë, u torturuan dhe mbetën shtazënë me forcë.

"Autoritetet boshnjake nuk vendosën drejtësinë dhe nuk ofruan kompensim për shumicën e tyre. Vetëm rreth 800 gra marrin pension si viktima të krimeve të luftës dhe vetëm 120 autorë të krimeve janë nxjerrë para drejtësisë." - thotë Todor Gartos, i organizatës "Amnesty International".

Përcaktimi zyrtar si "viktimë civile e luftës" i krijon mundësinë të mbijetuarve të përfitojnë një numër shërbimesh shtetërore, si kompensim, pension dhe shërbim shëndetësor.

Por kjo ka qenë e vështirë, pjesërisht për shkak të Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund konfliktit. Marrëveshja e ndau Bosnje-Hercegovinën në Federatën e Bosnjes dhe Hercegovinë dhe në Republikën Serbska.

“Kjo do të thotë se gratë e mbijetuara që mund të jenë në një pjesë në vendit nuk marrin përfitime nga ky status. Të tjera gra nuk e kanë përfituar këtë status, sepse nuk kanë mundur të demontronin se dhuna, apo përdhunimi u kishte shkaktuar atyre traumë afatgjatë dhe ofendim," thotë Todor Gartos, i organizatës "Amnesty International".

Që nga koha e fillimi të proceseve gjyqësore në Bosnje në vitin 2004, organizata "Amnesty" njofton se më pak se një për qind të viktimave të përdhunimit u janë çuar çështjet për gjykim. Amnesty thotë se sistemi i ndjekjes penale është përmirësuar, por ende ka një sërë pengesash.

“Kjo përfshin mungesën e mbrojtjes: gratë janë ekspozuar ndaj autorëve të dhunës, duke jetuar në të njëjtat komunitete ku ata mbroheshin, për shkak të statusit të tyre social. Kështu psh për gjeneralët, apo veteranët e luftës ishte më e vogël mundësia e ndjekjes ligjore," thotë Todor Gartos, i organizatës "Amnesty International".

Shumë të mbijetuara i thanë organizatës "Amnesty" se pak shpresë kanë që drejtësia të vihet në vend gjatë jetës së tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG