Lidhje

Shpërthimet në Boston rizgjojnë ndjenjën e pasigurisë


Para sulmeve të 11 shtatorit 2001, amerikanët e shihnin terrorizmin si diçka që ndodhte në vende të tjera. Por reagimi ndaj shpërthimeve në maratonën e Bostonit dhe ndaj vrasjeve masive me armë zjarri, të lë të kuptosh se ndjenja e sigurisë është tronditur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jerome Socolovsky njofton nga Bostoni.

Po ta shohësh nga një pikë e caktuar, Bostoni duket idilik dhe shpesh kjo ndjesi mbizotëron kur mbahet maratona. Këtë ndjesi kishte edhe Tracy Shea atë ditë. Ajo ishte aq afër vijës së finishit, saqë mundi të bënte një fotografi, kur shpërthyen bombat.

“Pashë vetëm tym që më kujtoi 11 shtatorin, sapo pashë tymin e bardhë që vinte drejt meje. Dhe kuptohej menjëherë që ishte bombë. Tmerri ishte i dukshëm në sytë e vajzës sime dhe ne filluam të vraponim”.

Megjithatë realiteti nuk kishte goditur ende.

“Nuk mund t’u besoja syve. Ishte një tronditje e menjëherëshme. ‘Vërtet po vrapojmë që t’u largohemi bombave në rrugën Boylston?’ Ishte e pabesueshme”.

Kjo ndjenjë habie i ka rrënjët në kohën kur amerikanët e shihnin vendin e tyre si të paprekshëm nga dhuna politike, veçanërisht nga masakra të tilla si ajo e kësaj jave. Graham Allison është drejtor i Qendrës Belfer për Shkencën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit.

“Para 11 shtatorit, shumë amerikanë mendonin se ne ishim të imunizuar nga rreziku i sigurisë, thuajse sikur të ishim në një planet tjetër. Ne shihnim ngjarje në televizion, që ndodhnin në Pakistan ose Irak, ose Afganistan apo në Afrikë”.

Ai thotë se e gjithë kjo po ndryshon jo vetëm për shkak të sulmeve terroriste por edhe për vrasje masive si ajo që shkaktoi vdekjen e 26 fëmijëve dhe mësuesve në Newtown, Connecticut, në dhjetor të vitit të kaluar.

“Prandaj mendoj se amerikanët po e kuptojnë se po jetojmë në një botë të brishtë dhe të rrezikshme dhe se edhe qytetarë si ne mund të vijnë në shkollat tona dhe të hapin zjarr ndaj fëmijëve”.

Kjo ndjesi mund të jetë në dizavantazh të grupeve terroriste, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Stephen Walt.

“Por nëse asnjëri nga këto grupe nuk mund të ketë qasje tek armë shkatërruese, ata nuk do të përbëjnë rrezik ndaj shumicës së amerikanëve, mënyrës sonë të jetesës, aftësisë për të pasur një shoqëri të lirë dhe të hapur, veçanërisht nëse nuk kemi reagime të tepruara”.

Tracy Shea thotë se do të shkojë prapë në maratonë vitin e ardhshëm, duke mos iu dorëzuar frikës. Është një ndjesi që e has shpesh në Boston këto ditë, një qytet që edhe më parë njihej për forcë dhe kurajo.
XS
SM
MD
LG