Lidhje

Brazil: Mbrojtja mbyll argumentat në mbrojtje të Presidentes Rousseff


Avokatët në gjyqin e presidentes së pezulluar braziliane Dilma Rousseff mbyllën argumentat përfundimtare sot herët në mëngjes, para se senati të votojë për shkarkimin ose jo përfundimtar të saj. Presidentja Rousseff ka thënë se është e pafajshme dhe se një votim kundër saj do të minonte demokracinë. Por akuza thotë se presidentja gënjeu dhe provat janë të pakundërshtueshme.

Jose Eduardo Cardozo, avokat mbrojtës i Presidentes Dilma Rousseff, tha:

“Mos lejoni vendin tonë të vuajë një grusht parlamentar shteti dhe që një person i ndershëm, korrekt dhe i drejtë të dënohet me vdekje politike, për të parandaluar që në të ardhmen dikush të detyrohet t’i kërkojë falje Dilma Rousseffit për atë që i bëri diktatura, atë që i bëri demokracia jonë. Ju lutem votoni për drejtësi dhe demokraci”.

Zonja Rousseff akuzohet se ka përdorur ilegalisht para nga bankat shtetërore për të mbuluar defiçitet në buxhetin federal në një përpjekje për të rritur popullaritetin e saj para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014.

Presidentja hodhi poshtë çdo akuzë gjatë dëshmisë së saj të hënën, duke akuzuar kundërshtarët e saj se kanë përdorur gjyqin si një mënyrë për ta përmbysur atë dhe për të minuar demokracinë në Brazil.

Por juristët që janë në favor të shkarkimit të saj argumentojnë se korrupsioni për të cilin akuzohet Rousseff, kontribuoi tek çështjet ekonomike që kanë rënduar mbi Brazilin gjatë viteve të fundit:

"Nuk ishte thjesht fakti që gënjeu presidentja. Por edhe llogaritë dhe bilancet ishin të gënjeshtërta. Mashtrimi ishte i plotë. Mashtrimi ishte në ato që janë thënë me gojë dhe janë me shkrim. Prandaj, të nderuar senatorë, a është ky apo jo mashtrim elektoral”, - tha një prokurore.

Nga të 81 senatorët, 54 duhet të votojnë në favor të shkarkimit të saj, që ai të bëhet i përhershëm.

Njoftimet e medias lokale tregojnë se të paktën 52 senatorë kanë thënë se do të votojnë për të për ta shkarkuar Rousseff-in, ndërsa 18 kanë thënë se do ta kundërshtojnë, ndërsa 11 janë të pavendosur.

Nëse shkarkohet, Rousseff do të zëvendësohet nga nënpresidenti Michel Temer.

XS
SM
MD
LG