Ligjvënësi i së djathtës ekstreme Jair Bolsonaro ka fituar zgjedhjet presidenciale në Brazil, një zhvillim që ka shtuar frikën për një rikthim pas në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe fjalën e lirë.
Jair Bolsonaro i Partisë Social Liberale fitoi rreth 56 për qind të votave në balotazhin e së dielës ndërsa kundërshtari i tij i krahut të majtë Fernando Haddad i Partisë së Punëtorëve rreth 44 për qind të tyre.
"Qeveria jonë do të formohet nga ata njerëz të cilët kanë të njëjtin qëllim me ata që më mbështesin mua, me synimin për ta shndërruar Brazilin në një komb të madh, të lirë e të begatë. Dua t’u garantoj se do të punojmë ditë e natë për këtë", tha Jair Bolsonaro, Presidenti i zgjedhur Brazilian.
Fitorja e tij është një tregues i refuzimit që votuesit i bënë administratave të majta që e kanë qeverisur Brazilin për pjesën më të madhe të 15 viteve të fundit. Vendi me ekonominë më të madhe në Amerikën Latine ndodhet në recesion që prej vitit 2014. Institucionet politike janë tronditur nga një skandal korrupsioni i nivelit të lartë dhe treguesit e krimit e të vrasjeve janë rritur.
Jair Bolsonaro bëri një fushatë për ndryshim, duke e përshkruar veten si një kandidat i ligjit dhe rendit, i cili do t'i japë policisë më shumë liri për të goditur krimin.
Por shumë brazilianë janë të shqetësuar për admirimin e tij të shprehur ndaj diktaturës ushtarake të viteve 1964-1985 dhe për komentet fyese ndaj homoseksualëve, pakicave racore dhe grave.
Zoti Bolsonaro është një ish-ushtarak, i cili për shkak të retorikës së tij të ekstremit të djathtë, premtimeve dhe një personaliteti të vendosur është cilësuar si "Trump-i tropikal".
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se Presidenti Donald Trump e telefonoi të dielën në mbrëmje për ta uruar Presidentin e zgjedhur të Brazilit Jair Bolsonaro.
Ajo tha se të dy udhëheqësit "shprehën angazhimin e fortë të tyre për të punuar krah për krah, me qëllim përmirësimin e jetës së popullsisë në dy vendet respektive”.
Facebook Forum