Lidhje

Ndikimi i Botërorit në ekonominë e Brazilit


Ndërsa tifozët e futbollit po kënaqen me Kampionatin Botëror, i cili po i afrohet fazës përfundimtare, autoritetet braziliane gjithashtu po kënaqen mbi fitimet, që ata thonë se turneu është duke i sjellë ekonomisë së vendit. Megjithatë, analistë të pavarur që studiojnë ngjarje të tilla janë më pak entuziastë.

Ekonomia e Brazilit ka përfituar rreth 15 miliard dollarë nga Botërori i këtij viti dhe kampionati ka krijuar shumë vende pune, sipas kryetarit të bordit të turizmit, Embratur, Vicente Neto:

“Numrat janë të jashëzakonshëm: janë krijuar një milion vendeve pune si rezultat i botërorit, një milion vende pune, është e barabartë me 15 për qind të të gjitha vendeve të punës të krijuara këtë vit në Brazil.”

Qeveria ka investuar 11 miliardë dollarë në stadiume dhe infrastrukturë dhe 2 miliardë të tjerë për sigurinë. Po ashtu ajo pritet të shpenzojë miliarda të tjerë për Lojrat Olimpike të vitit 2016 në Rio.

Por një analist, i cili studion aktivitete të kësaj natyre, profesori për arkitekturë dhe urbanistikë në Universitetin Federal Fluminense të Rio de Zhaneiros, Chris Gaffney beson se këto shifra janë të ekzagjeruara.

“Nuk mendoj se kanë investuar para të mjaftueshme për të krijuar vende pune të përhershme. Sipas shkallës së ekonomisë së Brazilit, nuk është investuar diçka e madhe. Janë 30 miliardë dollarë në një ekonomi prej 1 trilion dollarësh.”

Një eksperte tjetër, Lisa Delpy Neirotti e Universitetit George Washington në Shtetet e Bashkuara, thotë se përfitimet ekonomike të aktiviteteve të tilla janë më të vështira për t’u llogaritur dhe më afat-gjata.

“Ndodh transferimi i njohurive. Njerëzit po mësojnë më shumë rreth turizmit. Në qendrat e transmetimit, po mësojnë teknologjinë e re. Kështu përfitimet më të mëdha janë në në industrinë e turizmit, në media, si dhe në shitjet me pakicë.”

Zoti Gaffney beson se një numër i vogël brazilianësh përfitojnë nga paratë e shpenzuara.

“Botërori dhe Lojrat Olimpike janë pjesë e një modeli biznesi i cili lëviz lirshëm nga njëri vend në tjetrin, që përdor interesat e elitave lokale politike dhe ekonomike nga të cilat përfitojnë korporatat ndërkombëtare.”

Zonja Delpy Neirotti nuk pajtohet.

“Po, shumë para janë shpenzuar këtu, por ne duhet të kuptojmë se infrastruktura që ata kanë ndërtuar për Botërorin do të mbetet këtu dhe ajo është afat-gjatë.”

Analistë të tjerë thonë se Botërori mund të ndihmojë ekonominë e Brazilit, por nga ana tjetër ai rrit inflacionin dhe borxhin publik. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, më pak se gjysma e brazilianëve besonin se organizimi i Botërorit atje ishte ide e mirë.

Dhe ka patur shumë demonstrata kundër kampionatit, por janë pakësuar që nga fillimi i tij.

Megjithatë, shumë brazilianë ndihen krenarë të jenë vendi mikpritës për Botërorin dhe 600 mijë vizitorët e huaj që kanë shkuar atje. Shpresa është se ata do të përhapin fjalën e mirë për Brazilin kur të kthehen në vendet e tyre.

XS
SM
MD
LG