Lidhje

“Brexit” dhe perspektivat e tregtisë


Sipas një grupi ligjvënësish britanikë nga të dyja partitë, largimi nga Bashkimi Evropian nënkupton negociata të vështira që do të duhen vite të përmbyllen. Ndërsa grupi i ligjvenësve nuk rekomandon sesi duhet të votojnë britanikët, lata theksojnë se marrëveshjet tregëtare mes vendeve të BE-së dhe jo të BE-së marrin mesatarisht katër deri në nëntë vjet kohë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton lidhur me debatin në rritje nëse Britania duhet të dalë apo duhet të qëndrojë në BE, ndërsa afrohet votimi në qershor.

Për më shumë se 300 vjet, kompania Lloyd’s e Londrës ka vepruar si një treg global për siguracionet. Aktiviteti i saj është shtrirë nga mbytjet e anijeve, derdhjet e naftës dhe revolucionet.

Por ka shqetësime se një stuhi e re mund t’i shkatërrojë bizneset. Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian mund të sjellë asaj humbjen e statusit të Londrës si porta hyrëse për në pjesën tjetër të BE-së.

"Në Londër kemi BE-në dhe kompaninë më të madhe të siguracioneve së bashku me kompani të tjera. Pra Londra luan rolin e saj si një qendër financiare për Evropën dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme", thotë John Nelson, kreu i kompanisë Lloyd’s.

Zëvendësimi i këtyre lidhjeve të ngushta tregëtare në rast të daljes së Britanisë nga BE-ja do të dojë vite të realizohet, thonë ligjvënësit.

Një raport i Dhomës së Lordëve për marrëdhëniet me BE-në paralajmëron se largimi nga blloku do të sillte “negociata të gjata dhe të vështira."

“Analistët sugjerojnë se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse tregëtare do të dojë nga katër deri në 10 vjet,” thotë Stephen Booth, analist me grupin Open Europe.

Por organizatorët e fushatës ‘Largohu’ thonë se do të jetë në interes të Evropës të arrijë një marrëveshje të shpejtë tregëtare me Britaninë pasi ajo është një treg i madh për mallrat si makinat gjermane dhe verën franceze.

“Ne kemi një alternativë të shkëlqyer. Një marrëdhënie me Evropën bazuar jo në trillet e burokratëve të pazgjedhur por në bashkëpunimin mes qeverive të zgjedhura”, thotë kryetari i bashkisë së Londrës, Boris Johnson.

Fushata ‘Largohu’ pretendon se Britania mund të arrijë marrëveshje me vendet jashtë BE-së. Ata citojnë marrëveshjen e tregëtisë së lirë të vitit 2014 me Zvicrën që nuk është anëtare e BE-së dhe me Kinën.

“Marrëveshja zvicerano-kineze tregon se Zvicra duhet të hapte tregjet e saj më shumë se Kina dhe më shpejt në kohë. Pra mendoj se Britania nuk ka të gjithë epërsitë por mund të jetë në gjendje të jetë më fleksibël dhe e shkathët."

Gati 80% e ekonomisë britanike përbëhet nga sektori i shërbimeve si bankat dhe sigurancionet, që i kanë qendrat në Londër. Gjermania – ekonomia më e madhe e Evropës, ka paralajmëruar për dëmet që do të shkaktonte dalja e Britanisë.

"Kompanitë e shërbimeve financiare në Londër duhet të jenë të tronditura në se merret një vendim i tillë”, thotë Thomas Oppermann, me Partinë Social Demokrate gjermane.

Ata që duan të qëndrojnë në BE thonë se qytete të tjera si Frankfurti dhe Parisi mund të duan të zëvendësojnë Londrën si qendra financiare e Evropës dhe mund ta bëjnë të vështirë çdo negociatë lidhur me daljen e Britanisë nga BE-ja.

XS
SM
MD
LG