Negociatorët e Bashkimit Evropian u takuan të premten për të finalizuar projekt traktatin e tërheqjes të Britanisë nga blloku, përpara takimit të së dielës për të miratuar marrëveshjen e Brexit-it, por Spanja kërkoi garanci për të ardhmen e Gjibraltarit.
Spanja kërkon ndryshim të marrëveshjes mbi marrëdhënien e re mes BE-së dhe Britanisë si dhe një deklaratë shoqëruese ku të thuhet se e ardhmja e Gjibraltarit do të vendoset falë bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Madridit dhe Londrës. Spanja ka ende pretendime mbi këtë territor që i është dorëzuar Britanisë në 1713.
Në një postim në Twitter Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shkruante se Britania dhe Spanja "mbeten larg" rreth kësaj çështjeje dhe "nëse nuk ka ndryshime, Spanja do të vendosë veton ndaj Brexit-it".
Udhëheqësi britanik i Gjibraltarit Fabian Picardo kritikoi kërkesën e Spanjës për një garanci me shkrim. Ai tha se "Gjibraltari ka treguar se dëshiron në të vërtetë një angazhim të drejtpërdrejtë me Spanjën për këtë çështje."
Zoti Picardo tha për BBC-në se "Spanja është porta hyrëse fizike dhe gjeografike për Gjibraltarin në Evropë", duke shtuar se "nuk është absolutisht e nevojshme vendosja e vetos si qëllim për ta ulur në tryezën e bisedimeve.”
Spanja nuk ka fuqi të vendosë veton mbi marrëveshjen e Brexit-it, e cila nuk është e nevojshme të miratohet në mënyrë unanime, por mund të bëhej pengesë për ndonjë marrëveshje të tregtisë së lirë mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian, gjë që do të kërkonte miratimin e të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së.
Paketa për Brexit-in po përballet gjithashtu me një kundërshti të fortë në parlamentin britanik, i cili duhet të votojë në favor të saj në mënyrë që marrëveshja të hyjë në fuqi. Nëse kjo nuk ndodh Britania do të largohej nga blloku më 29 marsin e 2019-s, pa një marrëveshje për të zbutur shqetësimet ekonomike.
Facebook Forum