Lidhje

Brexit dhe frika për emigracion nga Turqia


Disa nga ata që kërkojnë daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, thonë se vendi një ditë do të përballet me një valë emigracioni nga Turqia nëse muajin e ardhshëm voton për të mbetur brenda BE-së. Kryeministri britanik David Cameron ngul këmbë se Britania ka të drejtën e vetos për anëtarësimin ose jo të Turqisë në Bashkimin Evropian.

Por debati vjen në një moment të vështirë, kur si BE-ja ashtu edhe Ankaraja përpiqen të finalizojë një marrëveshje të arritur në muajin mars, që synon frenimin e fluksit të emigrantëve nga Turqia në Greqi.

Fushata “Votoni për largimin” thotë se Turqia po ecën drejt hyrjes në BE dhe se kjo do të bëjë që një milion shtetas turq të vërshojnë në Britani, duke përfshirë sipas një aktivisti, "vrasësit, terroristët dhe rrëmbyesit”.

Pohime të tilla të bëra të shtunën nga një ministër i qeverisë, u kritikuan ashpër nga kryeministri David Cameron.

"Hyrja e Turqisë në BE është diçka tepër e largët. Me ritmet e tanishme bëhet fjalë për disa dekada, përpara se kjo të ketë një shans për të ndodhur. Madje edhe kur të vijë ajo kohë, ne përsëri do të jemi në gjendje të themi 'Jo'," u shpreh zoti Cameron.

Vendet anëtare të BE-së, në fakt kanë një të drejtë të dyfishtë vetoje, nëse Turqia do të hyjë ose jo, thotë Damian Chalmers, profesor i së drejtës komunitare në Shkollën Ekonomike të Londrës.

"Së pari, kërkohet një marrëveshje njëzëri në Këshillin e Ministrave të BE-së, ku përfaqësohet çdo qeveri. Pastaj, Turqia do të duhet të nënshkruajë një traktat me secilin prej 28 vendeve anëtare. Në atë fazë, secili parlament të mund votojë ‘Jo’”, thotë profesori.

Debati për Turqinë vjen në një kohë të vështirë. Në muajin mars, Ankaraja ra dakord të pranojë refugjatë nga Evropa, pjesërisht në këmbim të hapjes së fazave të reja në procesin e anëtarësimit të saj në BE. Ministrat turq kanë kërkuar një qëndrim të qartë nga Brukseli. Në të vërtetë, thotë profesor Chalmers, negociatat po ecin me ritme mjaft të ngadalta. Ai thekson se para se të mund të nënshkruhet ndonjë traktat, duhen arritur marrëveshje për politika në 35 fusha të ndryshme.

"Negociata ka patur që nga viti 2005. Dhe, deri tani, është arritur marrëveshje në vetëm njërën nga këto fusha.”

Votimi i Britanisë më 23 qershor nëse do të qëndrojë ose jo në BE mund të ketë një ndikim shumë më të gjerë në marrëdhëniet e Evropës me Turqinë.

"Referendumi në Britani do të krijojë një valë, e cila do të ndikojë ndjeshëm në Evropë. Sidomos nëse Britania shprehet në favor të largimit nga BE-ja,” thotë Prof. Ibrahim Sirkeci.

Anketat tregojnë se kampi, i cili kërkon që Britania të mbetet në BE, është në avantazh, prandaj kundërshtarët e tyre po përpiqen ta përqendrojnë fushatën te frika nga imigracioni.

"Ne duam të kemi kufijtë, pasaportat dhe vendin tonë, ashtu si më parë dhe, nëse të gjithë ata që janë dakord me ne dalin për të votuar më 23 qershor, ne do ta bëjmë atë Ditën e Pavarësisë së Britanisë,” thotë Nigel Farage, udhëheqës i Partisë për pavarësi.

Kryeministri Cameron paralajmëroi të hënën se një votë për daljen nga BE-ja do të ishte, sipas tij, "alternativë e vetshkatërrimit,” që do ta shtynte Britaninë në recesion, duke shkaktuar humbjen e një gjysmë milioni vende pune.

XS
SM
MD
LG