Lidhje

Theresa May shtyn votimin për BREXIT-in


Dalja me probleme e Britanisë nga Bashkimi Europian u bë edhe më kaotike të hënën, kur kryeministrja Theresa May e shtyu votimin në Dhomën e Komuneve të Parlamentit britanik lidhur me marëveshjen e saj të Brexit-it. Kjo marrëveshje u arrit pas disa sesione negociatash me Brukselin.

Pas katër ditë debatesh në Dhomën e Komuneve dhe në një përpjekje të kryeminstres të pushtuar nga paniku, për të siguruar miratimin e marrëveshjes nga publiku britanik, ligjvënësit pritej ta kundërshtonin marrëveshjen e tërheqjes nga BE-ja.

Në se marrëveshja nuk do të miratohej, zonja May do të detyrohej të largohej nga posti dhe ndoshta kjo mund të shkaktonte rënien e qeverisë së saj konservatore.

Ndërsa May këmbënguli të hënën publikisht që të votohej për tërheqjen nga marrëveshja, që do të vinte në provë kredibilitetin e kryeministres, ndihmësit e saj thanë se prapa skenës, ministrat e kabinetit ju lutën asaj ta shtynte votimin. Ata i bënë thirrje zonjës May të kthehet në Bruksel, për të siguruar atje më tepër lëshime, para se marrëveshja të hidhet në votë në Dhomën e Komuneve.

Por duket se plani për rinegociim në Bruksel nuk ka gjasa të ketë sukses. Pas lajmit për shtyrjen e votimit, paundi i dobësuar britanik ra në nivelin më të ulët që ka patur ndonjëherë ndaj dollarit amerikan dhe euros.

Duke folur para Dhomës së Komuneve, zonja May tha se “kishte dëgjuar çfarë ishte thënë” gjatë tre ditë debatesh. Këto komente të saj shkaktuan të qeshura dhe tallje në mesin e ligjvënësve. “Në se do ishte hedhur në votë, marrëveshja nuk do të ishte miratuar me një dieferencë të vogël votash. Prandaj votimi do të shtyhet”, - tha zonja May. Ajo tha se në vija të përgjithshme, marrëveshja ishte më e mira e mundshme për Britaninë dhe se në ditët e ardhshme do të takohej me udhëheqësit europianë.

Ky veprim u prit me reagime të ndryshme: udhëheqësi i opozitës Jeremy Corbyn tha se shtyrja e votimit ishte poshtëruese dhe se qeveria kishte humbur kontrollin e ngjarjeve.

Edhe Kryetari i Dhomës së Komuneve John Bercow, e kritikoi shtyrjen e votimit dhe mënyrën se si u njoftua.

Me të dëgjuar për vendimin e zonjës May, Komisioni Europian, sikurse edhe disa udhëheqës europianë, e përjashtuan mundësinë e rinegociimit të marrëveshjes së BREXIT-it.

Shtyrja e votimit ndodhi pak orë pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë, tha të hënën se Mbretëria e Bashkuara mund të anulojë njëanshëm BREXIT-in, duke shtuar shpresat e pro evropianëve para votimeve në parlamentin britanik për marrëveshjen e kryeministres Theresa May, për largimin nga Bashkimi Evropian.

Vetëm 36 orë para votimit të së martës, Gjykata tha se Londra mund të tërheqë njëanshëm dhe pa dënime artikullin e 50 për largimin nga BE-ja.

“Mbretëria e Bashkuar është e lirë të anulojë në mënyrë të njëanshme njoftimin për qëllimin e saj për t'u tërhequr nga BE-ja ", thuhet në vendimin e gjykatës.

"Një anulim i tillë, i vendosur në përputhje me kërkesat e kushtetuese, kombëtare, do të kishte efektin që Mbretëria e Bashkuar të mbetet në BE nën kushte të pandryshuara".

E ardhmja e BREXIT-it mbetet thellësisht e pasigurt pasi dhjetëra ligjvënës janë zotuar publikisht të votojnë kundër marrëveshjes së kryeministres May.

Në referendumin e 23 qershorit të vitit 2016, 17.4 milionë votues apo 52 për qind, mbështetën BREXIT-in, ndërsa 16.1 milionë apo 48 për qind votuan për të mbetur pjesë e bllokut.

XS
SM
MD
LG