Lidhje

Mbyllet faza e parë e bisedimeve për BREXIT-in


Komision Evropian tha të premten se është arritur përparim i mjaftueshëm në negociatat për BREXIT-in me Mbretërinë e Bashkuar dhe se tani mund të hapet periudha e dytë e negociatave, duke shënuar kësisoji fundin e bllokadës që ishte krijuar rreth kufirit irlandez.

Kryeministrja britanike, Theresa May, fluturoi herët në mëngjesin e së premtes në Bruksel për të shpallur përparimin bashkë me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Rekomandimi i Komisionit për përparimin e mjaftueshëm do të diskutohet në takimin e lartë të udhëheqësve të Bashkimit Evropian javën e ardhshme. Kryeministrja May tha se pret që një marrëveshje formale të miratohet në atë takim.

"Kryeministrja May më ka siguruar se e ka mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Mbi këtë bazë, unë besoj se tani kemi bërë përparimin e nevojshëm. Rezultati i sotëm është natyrisht një kompromis, "i tha presidenti Juncker në një konferencë me gazetarë të organizuar me ngut në Bruksel.

Komisioni tha se është i gatshëm të fillojë periudhën e dytë të bisedimeve që përfshijnë tregun dhe marrëdhëniet afatgjata me bllokun.

Hapja e bisedimeve rreth tregtisë dhe periudhës kalimtare të BREXIT-it është vendimtare për të ardhmen e kryeministres May dhe për të ruajtur marrëdhëniet tregtare midis bllokut më të madh tregtar dhe ekonomisë së gjashtë më të madhe kombëtare pas largimit të Britanisë më 30 mars 2019.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG