Lidhje

Brexiti – në rrugë pa krye


Britania nuk është afër zgjidhjes së kaosit të krijuar rreth largimit të saj nga Bashkimi Evropian, pasi që parlamenti dështoi të sigurojë shumicën për cilëndo nga alternativat kundrejt marrëveshjes së kryeministres Theresa May, për ndarje nga blloku.

Pas një jave të trazuar gjatë së cilës strategjia e kryeministres May për largimin nga BE-ja u refuzua për tretën herë nga ligjvënësit, me gjithë ofertën e saj për dorëheqje nëse ajo miratohet, e ardhmja e Brexitit është e zhytur në paqartësi.

Në një përpjekje për të tejkaluar bllokadën, ligjvënësit votuan të hënën për katër mundësi alternative për Brexitin, që është ndryshimi më i madh politik në Mbretërinë e Bashkuar që nga Lufta e Dytë Botërore. Asnjëra nuk kaloi.

Mundësia më afër miratimit ishte propozimi për të mbajtur Britaninë pjesë të bashkimit doganor me BE-në, që dështoi për vetëm tri vota.

Ministri për Brexitin, Steven Barclay, tha pas shpalljes së rezultateve se mundësia më e madhe është që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian me 12 prill, pa marrëveshje, skenari më i frikshëm për shumë biznese ndërkombëtare.

"Zgjidhja e vetme është që të gjendet një rrugë që i siguron Mbretërisë së Bashkuar largimin me marrëveshje”, tha ai në parlament.

Ministri Barclay, la të kuptohet se kryeministrja May mund ta hedhë për votim për herë të katërt marrëveshjen e saj gjatë kësaj jave, me shpresë që të sigurojë një largim të rregullt para zgjedhjeve evropiane që mbahen nga 23 maji.

Nëse parlamenti pajtohet me marrëveshjen gjatë kësaj jave, atëherë do të ketë ende mundësi që të shmanget mbajtja e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian”, tha ministri Barclay.

Britania duhej të largohej nga Bashkimi Evropian më 29 mars, por bllokada politike në Londër, detyroi kryeministren May që të kërkoj një shtyrje. Siç qëndrojnë gjërat, Britania do të largohet më 12 prill, nëse zonja May nuk ofron një mundësi më të qëndrueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG