Lidhje

Konservatorët britanikë humbin shumicën parlamentare


Britania e Madhe është vënë në një situatë të paqartë politike të premten, pasi që Partia Laburiste, parti kryesore opozitare shënoi një rikthim të jashtëzakonshëm elektoral duke i lënë konservatorët e kryeministres, Theresa May, pa shumicën absolutë në parlament, duke ju falënderuar kryesisht votave të të rinjve.

Në zgjedhjet që mund të radhiten si ndër më të veçantat në historinë bashkëkohore britanike, përpjekjet e kryeministres May për të zgjeruar shumicën parlamentare dështuan në mënyrë spektakolare, dukë ngritur dyshimet nëse ajo do të jetë në gjendje ruajë dhe të drejtojë një qeveri të pakicës në koalicion me Partinë Unioniste të Irlandës së Veriut.

Kur janë numëruar pothuajse të gjitha votat, konservatorët mund të sigurojnë shumicën në parlamentin 650 vendesh, nëse sigurojnë mbështetjen e unionistëve. Formimi i qeverisë kërkon një shumicë prej 326 deputetësh, Tashmë janë shtuar thirrjet nga Partia Laburiste, madje edhe disa konservator që kryeministra May të jap dorëheqje.

Ajo duket e vendosur që të provojë të qëndrojë.

“Në këtë kohë, më shumë se gjithçka tjetër, ky vend ka nevojë për një periudhë qëndrueshmërie", tha ajo.

Nëse May do të jepte dorëheqje, mund të hapej rruga që laburistët të provojnë të formojnë një qeveri koalicioni. Por, është e paqartë nëse ata do të ishin në gjendje të bëjnë një gjë të tillë. May është vënë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e unionistëve irlandez, i thanë Zëri të Amerikës, zyrtarë nga radhët e konservatorëve.

Udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn, i bëri thirrje kryeministres të jap dorëheqjen duke thënë se ajo duhet të "shkojë dhe të hapë rrugën për një qeveri që është me të vërtetë përfaqësuese e këtij vendi".

Edhe dy ish ministra konservator thanë se zonja May duhet të shqyrtojë pozicionin e saj pas rezultatit të zgjedhjeve.

Ky rezultat, mund të shkaktojë trazira në skenën e brendshme politike dhe të shtyjë negociatat për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, të cilat duhet të fillojnë më 19 qershor. Kryeministrja Theresa May, kërkoi në muajin prill zgjedhje të parakohshme pikërisht për të forcuar pozitat e saj në negociatat për Brexit-in.

Përveç Brexit-it, terrorizimi dhe mundësia e shpërbërjes së Britanisë, janë sfida madhore, për të cilat secila nga forcat politike ofron zgjidhje krejt të ndryshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG