Lidhje

Britania, një ditë pa energji nga qymyrguri


Britania, aty ku Revolucioni Industrial filloi mbi 200 vjet më parë, regjistroi ditën e saj të parë të plotë pa përdorimin e energjisë nga qymyri. Kjo arritje u shënua të premten, pas disa vite investimesh në energjinë e ripërtëritshme – një prirje e re që po përhapet në disa vende evropiane dhe bile edhe në vendet në zhvillim.

Është karburanti që vuri në lëvizje Revolucionin Industrial të Britanisë dhe ndihmoi në ndërtimin e Perandorisë. Por kjo erdhi me një kosto.

Në vitet 1950, shtëllungat e ndotjes nga djegia e qymyrit, që njihet si ‘smog’, shkaktuan vdekjen e mijëra londinezëve.

Kohët kanë ndryshuar. Miniera e fundit e qymyrit u mbyll në vitin 2015. Të gjitha stacionet elektrike të furnizuara me qymyr do të mbyllen deri në vitin 2025. Shumë e mirëpresin zhdukjen e tyre.

“Sinqerisht është koha për të festuar, veçanërisht ata që jetojnë në Britani. Qymyri ka qënë një burim fantastik energjie dhe askush nuk do t’ia ul rolin historik që ka luajtur. Por është burimi më ndotës i energjisë. Ai është ndotës në vend dhe në shkallë globale.”

Energjia bërthamore dhe ajo e gazit zënë një pjesë të madhe të prodhimit energjitik në Britani. Por eleminimi i qymyrin u arrit përmes një zgjerimi të madh të energjive të ripërtëritshme.

“Energjia vjen nga dielli dhe era. Kur dielli ndriçon dhe fryn erë në të njëjtën kohë, prodhohet mjaft energji. Dhe ishin këto rrethana të favorshme që bën të arrihej kjo ditë.”

Pjesa më e madhe e përparimit është arritur për shkak të uljes së ndjeshme të kostos së burimeve të ripërtëritshme, veçanërisht të komplekseve energjitike në det të hapur për përftimin e energjisë nga era.

Por Britania është prapa vendeve të tjera në Evropë. Portugalia arriti të përdorë për katër ditë rresht energji të ripërtëritshme në vitin 2016.

Përparimi i shpejtë ofron një mundësi për ekonomitë e vendeve në zhvillim të anashkalojnë llojin e industrializimit ndotës që karakterizoi dikur Britaninë.

“Është shumë më lirë të ndërtosh panele diellore të decentralizuara sesa të ngresh një rrjet shpërndarës me infrastrukturën standarte të lëndëve djegëse. Me koston e energjisë diellore në të ardhmen, do të jetë një zgjedhje shumë e lehtë.”

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump ka miratuar urdhëresa për të hequr rregullat për mbrojtjen e mjedisit, duke premtuar të kthejë përsëri në punë minierat e qymyrit dhe të investojë në të ashtuquajturën teknologji të kapjes së karbonit.

“Administrata ime po i jep luftës kundër qymyrit. Do të kemi qymyr të pastër, shumë të pastër.”

Por shumë analistë thonë se ulja e kostos të energjisë së ripërtëritshme krahasuar me atë të qymyrit do të thotë se ka të ngjarë të mos ketë llogjikë ekonomike për rihapjen e minierave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG