Lidhje

Tregtia SHBA-Britani


Shtetet e Bashkuara dhe Britania po fillojnë bisedime paraprake në Uashington për një marrëveshje tregtare që do të krijojë një marrëdhënie të re mes dy vendeve, pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Britania shpreson se heqja e barrierave nga marrëveshja që ka tani me BE-në, do të rrisë tregtinë me Shtetet e Bashkuara me 40 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Luis Ramirez nga Londra, askush nuk pret që këto të jenë negociata të lehta.

Britania duket se do të ketë një pozitë të preferuar në negociatat tregëtare me Shtetet e Bashkuara, tani që ka kaluar pak më shumë se një vit, që kur presidenti i atëhershëm Barack Obama paralajmëroi britanikët rreth të ardhmes së marrëdhënieve tregëtare, në se ata votonin për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e kryeministres Theresa May shpreson se dalja nga BE-ja dhe politika ‘Amerika e Para’ e presidentit Donald Trump mund të shmangin kurthet e proteksionizmit.

“Është shumë e rëndësishme që t’i mbajmë Shtetet e Bashkuara të orientuara drejt një qasje të tregëtisë së lirë dhe të hapur pasi është ekonomia më e madhe e botës dhe çfarë ndodh atje do të ndikojë tek gjithë të tjerët. Kështu që mendoj se drejtimi i debatit larg proteksionizmit tek tregu i lirë, debati i bazuar në rregulla është një diskutim shumë i rëndësishëm që duhet të kemi.”

Bisedimet janë vetëm paraprake. Britania nuk ka autoritet të hyjë në marrëveshje tregëtare derisa të largohet përfundimisht nga Bashkimi Evropian dhe kjo është dy vjet larg.

Por piketimi i shpejtë i kornizës së bisedimeve është politikisht i rëndësishëm, ndërsa rritet popullariteti i rivalit të majtë të zonjës May, Jeremy Corbyn dhe po ashtu shqetësimet se një marrëveshje tregëtare me Shtetet e Bashkuara mund të nënkuptojë hapjen e sistemit shëndetësor të Britanisë për firmat amerikane.

“Nuk jam i sigurtë se qeveria britanike do të ketë mbështetjen e opinionit publik në arritjen e një marrëveshjeje tregëtare me Shtetet e Bashkuara. Mund të bëhet një çështje shumë, shumë e debatueshme”.

Për britanikët, bujqësia është një pikë e rëndësishme. Ekzistojnë dallime të mëdha mes metodave bujqësore britanike dhe amerikane për përdorimin e antibiotikëve dhe bimëve të modifikuara gjenetikisht, asnjë prej të cilave nuk është e mirëpritur në tregun britanik.

Në sektorin e rëndësishëm të shërbimeve finaciare lidhjet janë tashmë të fuqishme dhe disa besojnë se një marrëveshje e drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara mund të çojë në më shumë rritje ekonomike, thotë investitori Rob Misselbrook.

“Kur ke të bësh me BE-në, për të arritur një marrëveshje tregëtare duhet të merresh me shumë pika delikate që vijnë që nga prodhuesit italianë të verës tek prodhuesit francezë të djathit dhe ata gjermanë të makinave. Kështu që çdo marrëveshje me Shtetet e Bashkuara mund të mbetet peng e këtyre elementëve. Një marrëveshje e drejtpërdrejtë është mes tyre dhe nesh. Ne flasim të njëjtën gjuhë në shumë drejtime.”

Presidenti Trump thotë se ai kërkon të lëvizë shumë shpejt për një marrëveshje tregëtare me Britaninë. Britanikët erdhën në Uashington me besim dhe zoti Trump dhe Kongresi janë në anën e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG