Lidhje

Vrasja në Londër hetohet si incident terrorist


Zyrtarë të lartë britanikë thanë se të dy personat e ndaluar për sulmin vdekjeprurës ndaj një ushtari në një rrugë të Londrës janë identifikuar nga skuadrat e hetimit. Për këtë ngjarje u mblodh sot dhe Komiteti Emergjent i qeverisë britanike. Kryeministri David Cameron shkurtoi një udhëtim në Paris për t'u kthyer në Londër, ku këshilltarët e tij të lartë po shqyrtojnë pasojat e këtij sulmi.

Policia britanike konfirmoi se viktima ishte një ushtar por nuk bëri të ditur identitetin e tij, për shkak të një kërkese të familjes. Kryeministri David Cameron tha se kishte "tregues të fortë" që sulmi i djeshëm të ishte një "incident terrorist".

“Ky vend do të jetë absolutisht i vendosur në qëndrimin e tij kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorit. Ne kurrë nuk do të dorëzohemi para terrorit, apo terrorizmit të çfarëdo lloji. Kjo pikëpamje mbështetet nga çdo komunitet në vendin tonë. Ky nuk ishte vetëm një sulm ndaj Britanisë dhe mënyrës së jetesës britanike, kjo ishte një tradhti edhe ndaj islamizmit dhe komuniteteve myslimane të cilat japin aq shumë për vendin tonë.”

Dy zyrtarë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thanë se sulmi duket të ketë qenë i motivuar ideologjikisht nga islami radikal, duke shtuar se ky vlerësim nuk bazohej vetëm në pamjet video të njërit prej të dyshuarve duke bërë deklarata politike kundër qeverisë britanike. Ata folën në kushte anonimiteti për shkak se nuk ishin të autorizuar për të dhënë deklarata në lidhje me hetimin në vazhdim.

Policia Metropolitane e Londrës konfirmoi se hetimi mbi sulmin po udhëhiqej nga oficerët e kundër terrorizmit. Kryetari i Bashkisë së Londrës Boris Johnson i bëri thirrje banorëve të qytetit të ruajnë qetësinë.

"Është krejtësisht e gabuar që për këtë vrasje të fajësohet feja e Islamit, por është po aq e gabuar dhe përpjekja për të krijuar lidhje midis kësaj vrasjeje dhe politikës së jashtme britanike apo veprimeve të forcave britanike që janë duke rrezikuar jetën e tyre jashtë vendit për lirinë tonë. Faji qëndron tërësisht dhe ekskluzivisht mbi idetë e deformuara dhe të gënjeshtërta të njerëzve që e bënë këtë gjë."

Në kazerma ushtarake, masat e sigurisë janë përforcuar dhe autoritetet thonë se po përshtasin udhëzimet për personelin ushtarak. Autoritetet vazhduan hetimet në vendin e ngjarjes së djeshme, ku dy autorët e sulmit u qëlluan nga policia, pasi kishin sulmuar viktimën. Ata u arrestuan dhe u çuan në spital. Sipas njoftimeve, njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Vitet e fundit, Britania ka qenë në qendër të disa komploteve apo sulmeve militante, më vdekjeprurësi i të cilëve ishte rasti i bombardimeve vetëvrasëse në vitin 2005, kur u vranë 52 udhëtarë të shërbimeve të transportit urban.
XS
SM
MD
LG