Lidhje

Zgjedhjet në Britani


Në Britani, as Partia Konservatore dhe as ajo Laburiste nuk pritet të arrijnë një shumicë të qartë në zgjedhje. Partitë e vogla synojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre për partitë e mëdha në shkëmbim të një influence më të madhe në krijimin e politikave.

Britania po voton sot për të zgjedhur një qeveri të re. Votimet pritet të kenë rezultatin më të ngushtë që në vitet ’70-të dhe asnjëra nga partitë kryesore nuk pritet të ketë një avantazh të qartë.

Aleatët liberal-demokratë të Kryeministrit konservator David Cameron po humbasin terren dhe ndoshta nuk do të kenë vende të mjaftueshme në parlament për të krijuar një maxhorancë me asnjërën nga palët. Kjo do të thotë se tre ose katër parti do të përfshihen në arritjen e një marrëveshjeje qeverisëse. Partitë e vogla shpresojnë tashmë se do të jenë në gjendje të ushtrojnë më shumë influencë.

Një sondazh i muajit i prill i dha Partisë Laburiste 35%, ndërsa konservatorët e Kryeministrit David Cameron mbetën në 32%. Një tjetër sondazh tregoi konservatorët me një avantazh prej 4%. Partia Nacionaliste Skoceze, e cila dështoi në referendumin për pavarësi vitin e kaluar, mendohet se do të marrë shumicën e votave të laburistëve në Skoci. Nga vetëm 6 vende që mori në parlamentin e vitit 2010, mendohet se këtë radhë do të fitojë 40 nga 59 vendet e rezevuara për Skocinë në parlamentin kombëtar, duke e shndërruar kështu në partinë e tretë më të madhe në vend. Në rast se kjo ndodh, Partia Nacionaliste Skoceze synon të vendosë balancën dhe të thotë fjalën përfundimtare në rast të një rezultati të ngushtë zgjedhor.

Gjatë prezantimit të manifestit elektoral, udhëheqësja e Partisë Skoceze Nacionaliste, Nicola Sturgeon premtoi të punojë në interes të të gjithë Mbretërisë së Bashkuar.

“Nëse nga këto zgjedhje dalim me një pozitë influence, ne do ta përdorim këtë influencë me përgjegjshmëri dhe konstruktivitet, dhe do ta përdorim në interes të jo vetëm popullit skocez, por edhe të gjithë Mbretërisë së Bashkuar.”

Partia Nacionalite Skoceze i ka bërë thirrje disa herë Partisë Laburiste të bashkojnë forcat për të bllokuar rikthimin në pushtet të konservatorëve të zotit Cameron, por udhëheqësi laburist Ed Miliband ka përjashtuar krijimin e një koalicioni formal me Partinë Nacionaliste Skoceze. Konservatorët gjithashtu kanë paralajmëruar kundër një koalicioni të tillë të rrezikshëm, që sipas tyre do të bashkonte një parti që dëshiron të çojë Britaninë drejt falimentimit, me një parti që dëshiron të copëzojë vendin. Ndërkohë, Kryeministri Cameron ka premtuar se nëse rizgjidhet, do të zhvillojë një referendum nëse Britania duhet të qëndrojë në familjen prej 28 shtetesh të Bashkimit Evropian.

Një tjetër parti, partia Palid Cumry, që synon pavarësinë e Uellsit, ka aktualisht vetëm tre vende në parlament, dhe dëshiron të fitojë më shumë vende duke përfituar nga situata e re elektorale.

Me një ekip të fortë deputetësh ne do të sigurohemi që zëri i Uellsit të dëgjohet fort dhe qartë”, thotë udhëheqësja e partisë së Uellsit, dhe madje shton se do të bashkunojë me Partinë Nacionaliste Skoceze dhe me Partinë e Blertë.

Të blertët po përjetojnë një mbështetje në rritje, dhe sondazhet tregojnë se do të marrin 5% të votave në rang vendi. Ata pritet të japin mbështetjen e tyre për një koalicion të udhëhequr nga laburistët.

Partia Demokrate Unioniste e Irlandës së Veriut, synon të marrë 9 vende në parlamentin e ri, dhe udhëheqësi i saj, Peter Robinson, ka lënë të hapur mundësinë se do të mbështesin krijimin e një qeverie të re. Zoti Robinson mendon se rezultati i ngushtë do të jetë një shans unik për partinë e tij.

“Në dhomën e ulët të përfaqësuesve asnjëra nga partitë kryesore nuk pritet të sigurojë maxhorancën. Kjo do të thotë se deputetët tanë do të kenë më shumë vlerë se kurrë më parë.”

Mendohet se kjo parti ka më shumë gjasa të bashkohet me një maxhorancë të udhëhequr nga zoti Cameron, për shkak të natyrës së saj konservatore.

Prishja e pritshme e skemës aktuale mendohet se do të trondisë themelet e politikës britanike. Kushdo që do të fitojë do të jetë një forcë qeverisëse e dobët, me pasoja në vonesa në vendimmarrje, e shtrënguar të hyjë në kompromise jopopullore, dhe nën diktatin e partive të vogla.

XS
SM
MD
LG