Rregullatori britanik i transmetimeve televizive ka hapur shtatë hetime lidhur me kanalin shtetëror televiziv rus RT, duke përmendur një rritje në shkeljet e mundshme të rregullave të paanshmërisë që nga helmimi i një ish spiuni rus dhe vajzës së tij.
Rregullatori i medias Ofcom, tha se hetimet do të përcaktojnë nëse RT që ka në pronësi televizionin Novosti "po u përmbahet" rregullave që të vazhdojë të mbajë një liçencë britanike transmetimi.
Ofcom tha se deri kohët e fundit "të dhënat e përgjithshme mbi pajtueshmërinë e TV Novostit, nuk kanë qenë shumë jashtë linje me transmetuesit e tjerë". Por rregullatori britanik i medias shtoi se ka parë një "rritje të konsiderueshme në numrin e programeve, në shërbimet që ofron RT, që kërkojnë hetime".
Britania ka akuzuar Rusinë për helmimin e ish agjentit Sergei Skripali dhe vajzës së tij Yulia, me një substancë nervore ushtarake në qytetin britanik të Salisburyt më 4 mars, një akuzë që Rusia e mohon.
Kanali televiziv rus thotë se qëndrimi i tij editorial ka qenë i pandryshueshëm që nga helmimi.
"Qasja jonë editoriale nuk ka ndryshuar që nga ngjarja në Salisbury dhe ne do ta ngremë drejtpërdrejt këtë çështje me rregullatorin", tha zëdhënësja e RT-së Anna Belkina.
Në një deklaratë më vete, kryeredaktorja e RT-së Margarita Simonyan, duke i njohur të drejtën e hetimit autoriteteve britanike, bëri shaka duke thënë se kanali televiziv, nuk ishte përgjegjës për ngordhjen e maces së Sergei Skripalit.
Macja u asgjësua pasi u gjet në shtëpinë e Skripalëve në Anglinë jugore.
Facebook Forum