Zyra e Kryeministri britanik, David Cameron tha se ai do të "shqyrtojë" rastet e myslimanëve britanikë të cilëve në minutën e fundit u është mohuar leja për të udhëtuar me avion për në Shtetet e Bashkuara.
Deklarata e Kryeministrit erdhi pas një ankese të bërë nga një ligjvënëse britanike në emër të një familjeje, së cilës i ishte mohuar leja për të udhëtuar në Kaliforni më 15 dhjetor. Një anëtar i familjes prej 11 anëtarësh tha se nga anulimi ata kishin humbur 13 mijë dollarë, shuma që u kishin kushtuar biletat.
Një burim i qeverisë amerikane i tha agjencisë së lajmeve Sky News se një anëtar i familjes u gjykua si person i ndaluar për të fluturuar, por meqenëse familja i kishte rezervuar biletat së bashku, atyre iu mohua të gjithëve leja për të udhëtuar.
Deputetja britanike Stella Creasy, tha se është e shqetësuar për faktin që një numri në rritje familjesh myslimane britanike po u mohohet hyrja në Shtetet e Bashkuara pa ndonjë arsye të qartë.
Një zëdhënës i agjencisë amerikane për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare i tha Zërit të Amerikës se feja dhe besimi, apo besimet shpirtërore të një udhëtari të huaj nuk janë faktorë përcaktues nëse ai lejohet ose jo të hyjë në SHBA.