Lidhje

Gjashtë të arrestuar në Bruksel gjatë hetimeve për sulmet e së martës


Prokurorët federal belg thanë se gjashtë persona janë arrestuar për lidhje të mundshme me sulmet e së martës në Bruksel, që lanë pas vetes 31 të vrarë dhe mbi 270 të plagosur.

Ata thanë se arrestimet u kryen gjatë bastisjeve në qendër të Brukselit si dhe në lagjet Jette dhe Schaerbeek, ku policia më herët gjatë javës kishte gjetur një sasi mjetesh shpërthyese në një apartament të përdorur nga sulmuesit.

Ministri i brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, tha po ashtu se një shtetas francez është arrestuar të enjten pasi u gjet se ai ishte në një "fazë të përparuar" të planifikimit të sulmeve terroriste.

Media franceze citon burimet të policisë të kenë thënë se i arrestuari ishte dënuar në mungesë në një vend tjetër evropian, për rekrutim të luftëtarëve për grupin Shteti Islamik.

Në një apartament në lagjen Schaerbeek në Bruksel, të premten në mëngjes policia mori kuti me prova në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 22 marsit, me të rëndat në historinë e Belgjikës.

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry po qëndron sot në Bruksel për të takuar udhëheqësit e Belgjikës dhe ata të Bashkimit Evropian.

Ai pritet që përveç solidaritetit të ofrojë edhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për hetimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të sulmeve.

Sulmet në Bruksel, ku ndodhen selitë e BE-së dhe NATO-s, kanë shtuar shqetësimet për sigurinë gjithandej nëpër botë, por edhe pikëpyetje rreth qasjes së vendeve evropiane ndaj kërcënimeve nga ekstremistët islamik.

Militantët e grupit Shteti Islamik, që morën përgjegjësinë për sulmet në Bruksel, kishin marrë përsipër edhe sulmet e bashkërenduara në Paris në nëntor të vitit të kaluar, që lanë pas vetes 130 të vrarë.

XS
SM
MD
LG