Në Uashington u mbajt sot funerali për diplomatin dhe strategun politik amerikan me origjinë polake, Zbigniew Brzezinski. Nga viti 1977 deri më 1981, Brzezinski ishte këshilltar i sigurimit kombëtar të presidentit Jimmy Carter. Ai ka qenë gjithashtu këshilltar i presidentëve Lyndon Johnson dhe John F. Kennedy. Një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon për Zërin e Amerikës se Brzezinski, së bashku me diplomatin Henry Kissinger, ndihmuan për t’i dhënë formë politikës së jashtme amerikane, me një ndikim afatgjatë te kjo polikë.
Në shtator 1976, Presidenti i ri i zgjedhur Jimmy Carter njoftoi se kishte emëruar këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare:
"Zbigniew Brzezinski, ekspert i politikës së jashtme në Universitetin e Kolumbias."
Zgjedhja e Brzezinskit nuk ishte e papritur. Si këshilltar i fushatës zgjedhore të zotit Carter, Brzezinski ndihmoi për fitoren e tij në zgjedhje.
"Carter dhe Brzezinski përshktateshin mjaft mirë me njëri-tjetrin. Carteri kishte besim te Brzezinski. Në fakt Brzezinski ishte ai që e përgatititi Carterin në politikën e jashtme shumë kohë para se të bëhej president", tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, Klaus Larres, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Karolinës së Veriut.
Brzezinski, i lindur në Varshavë, ishte bir i një diplomati polak. Ai u bë shtetas amerikan në vitin 1958 dhe shumë shpejt doli në skenë si politikan i vijës së fortë. Qëndrimi i tij anti-sovjetik ndikoi në politikën e jashtme amerikane, thotë zoti Larres:
"Së bashku me Kissingerin, ai në fakt i dha formë politikës së jashtme amerikane, në vitet 1960, 1970 dhe 1980".
Si këshilltar i sigurimit kombëtar, Brzezinski mori pjesë në të gjitha vendimet kryesore të politikës së jashtme gjatë administratës Carter, duke përfshirë negocimet për Traktatin e Panamasë, armatosjen e muxhahedinëve në Afganistan për të luftuar pushtuesit sovjetikë dhe planifikimin e një misioni, që më pas dështoi, për shpëtimin e 52 pengjeve amerikane që mbaheshin në Iran.
"Ishte ai që e inkurajoi Carterin të ndërmerrte misionin e pengjeve në Iran. Sigurisht, nuk ishte Brzezinski dhe as faji personal i Carterit që helikopterët e shpëtimit u rrëzuan. Por të dy ata nuk mundën t’u shpëtojnë pasojave politike që solli kjo”, thotë profesor Larres.
Brzezinski u përfshi gjithashtu në negociatat e zhvilluara në Camp David, që zoti Larres i konsideron si një nga sukseset më të mëdha të administratës Carter.
Brzezinski mbeti profesionalisht aktiv deri në vdekjen e tij më 26 maj të këtij viti, duke botuar libra dhe komentuar mbi çështjet politike. Në një intervistë me shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës në vitin 2009, ai paralajmëroi udhëheqësit në Kiev për rrezikun se mund të binin pre e Moskës.
"Sot në Ukrainë ka një elitë oligarkike që paguhet nga interesat e huaja, që manipulon pasurinë e vendit për përfitime personale dhe që nuk është e angazhuar sinqerisht për t’i dhënë formë një demokracie ukrainase me bazë kombëtare.”
Larres thotë se Brzezinski paralajmëroi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të mos heqin dorë nga udhëheqja globale, sepse kjo do të çonte në trazira dhe paqëndrueshmëri në mbarë botën.
Facebook Forum