Lidhje

Bullgaria në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit


Bullgaria në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Bullgaria në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Qeveria e qendrës së djathtë në Bullgari e mori pushtetin në Bullgari pas një fushate zgjedhore të bazuar në premtimin për të luftuar krimin. Që nga ardhja në pushtet në qershor 2009, autoritetet bullgare janë hedhur në sulm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në një vend që konsiderohet nga shumë veta si më i korruptuari në Bashkimin Evropian.

Një seri arrestimesh të figurave të njohura dhe të disa elementëve famëkeqë të krimit të organizuar janë bërë simbolikë e angazhimit të udhëheqjes së vendit për të luftuar krimin dhe korrupsionin në vend. Tani autoritetet po shtojnë presionin ndaj gjyqësorit për të çuar deri në fund këtë luftë dhe për t’i vënë të arrestuarit, disa prejt të cilëve akuzohen si krerë të rrjeteve kriminale, pas hekurave dhe për të çuar në vend drejtësinë ndaj zyrtarëve të korruptuar të ndaluar gjatë këtyre muajve.

Ministri i Brendshëm i Bullgarisë Tsvetan Tsvetanov, i cili është edhe zëvendës kryeministër i vendit, është bërë politikani më popullor në vend, pasi policia arrestoi dhjetëra persona të dyshuar për rrëmbime, trafikim, vjedhje makinash dhe evazion fiskal që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re.

“Bullgaria është një vend demokratik ku sundon shteti ligjor. Ministria e brendshme e vendit ka përgjegjësinë për të garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësisë, pasi këtë pret shoqëria prej nesh. Duam t’ua garantojmë këto shtetasve bullgarë dhe investitorëve të huaj. Askush nuk investon në një vend ku ka korrupsion të madh. Është më mirë të shohësh në televizion arrestime të personave të dyshuar se të mësosh për krime që po kryhen në vend”.

Qeveria duket se e ka marrë seriozisht angazhimin për të pastruar imazhin e vendit dhe një numër ministrash nga kabineti i mëparshëm janë akuzuar për shpërdorim detyre dhe përvetësim fondesh.

“Kemi përpara një mal me dokumenta policore që janë lënë pas dore gjatë 20 vjetëve të fundit, kur nuk luftohej si duhet aktiviteti kriminal”.

Tani vëmendja e qeverisë është përqendruar tek nevoja për reformimin e gjyqësorit, i cili akuzohet për pasivitet dhe mungesë efikasiteti.

Por autoritetet janë treguar më të rezervuara në masat në përgjigje të krizës ekonomike. E ndodhur përballë një presioni të madh publik, qeveria i ka pazulluar për momentin planet për reformimin e sektorit të shëndetësisë dhe reformimin e pensioneve, që mendohet se do ta rëndojnë më tej gjendjen në vend.

Megjithë vështirësitë ekonomike, qeveria gëzon mbështetje të konsiderueshme në publik. Fushata anti-krim duket se ka marrë aprovimin e masës:

“Synimi i këtyre politikave është t’i trembin kriminelët. Ata arrestohen, dërgohen në polici, policët u bërtasin, i shtyjnë, pra duan t’i trembin”.

Por, ka edhe bullgarë të cilët, të ngopur nga pasiviteti i deritanishëm, shprehin irritim për mungesën e vendimeve gjyqësore:

“Shpresojmë se këto masa do të kenë rezultat pozitiv. Deri tani nuk është shpallur njeri fajtor. Duket sikur këta individë po i hedhin hí syve policisë”.

Që nga ardhja në pushtet e qeverisë së qendrës së djathtë janë arrestuar persona që dyshohen si krerë të rrjeteve kriminale dhe janë ngritur akuza kundër 3 ish-ministrave. Bashkimi Evropian i përshëndet masat dhe për të treguar mbështetjen e tij ka zhbllokuar një ndihmë prej 11 miliardë dollarësh, të cilën e kishte ngrirë në vitin 2008, si ndëshkim për abuzime në masë për të cilat e akuzonte Bullgarinë. Në korrik BE-ja do të analizojë punën e deritanishme kundër krimit dhe korrupsionit. Një notë negative nënkupton një ngrirje të re të shumës së ndihmave për këtë vend ballkanik.

XS
SM
MD
LG