Lidhje

Bush, Obama flasin kundër ndasive politike në SHBA


Ish-Presidenti amerikan George W. Bush theu heshtjen, duke denoncuar hapur ndasitë politike në vend gjatë një fjalimi që mbajti të enjten në Nju Jork. Edhe ish-Presidenti Barack Obama, gjatë një tubimi elektoral për zgjedhjet për për guvernatorin e Virxhinias foli kundër klimës politike përçarëse në Shtetet e Bashkuara.

Ish- Presidenti Bush nuk e përmendi asnjëherë me emër Presidentin Donald Trump në fjalimin e tij në Nju Jork, por duket se mesazhi i tij kishte në shënjestër postimet e shpeshta të presidentit në Twitter kundër rivalëve të tij politikë, përpjekjet e tij për të pakësuar imigracionin në Shtetet e Bashkuara dhe heqjen dorë nga marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë.

"Kemi parë se si bashkëbisedimi ynë publik është gërryer nga egërsia e shkujdesur. Herë pas here duket sikur forcat që na përçajnë janë më të forta se ato që na bashkojnë. Ne kemi parë një nacionalizëm të shtrembëruar, të shndërruar në politika kundër imigrantëve. Kemi harruar dinamizmin që emigracioni ka sjellë gjithmonë në Amerikë. Ne jemi duke parë një venitje të besimit në vlerat e tregtisë së lirë dhe tregtisë ndërkombëtare, duke harruar se konflikti, paqëndrueshmëria dhe varfëria pasojnë politikat proteksioniste."

Ish-Presidenti Bush shtoi se “paragjykimet janë përforcuar dhe politika jonë duket më e ekspozuar ndaj teorive të konspiracionit dhe madje fabrikimeve të plota”.

Ndërkohë, ish-presidenti Barak Obama i bëri një goditje tjetër Presidentit Trump, pa i përmendur emrin, gjatë një tubimi fushate për kandidatin e demokratëve për Guvernator të Virxhinias.

"Njerëzit tani nuk po ndjehen mirë me atë që po shohin. Ata nuk besojnë se jeta jonë publike reflekton më të mirën tonë. Në vend që politika të pasqyrojë vlerat tona, ne kemi një politikë që po infekton komunitetet tona. Në vend që të kërkojnë mënyra për të punuar së bashku dhe për të bërë gjërat në një mënyrë më praktike, ne kemi njerëz që po përpiqen qëllimisht t’i zemërojnë të tjerët dhe t’i djallëzojnë ata që kanë ide të ndryshme", tha ish Presidenti Obama.

Ndërsa dy ish-presidentët amerikanë bënë thirrje që t’i jepet fund përçarjeve, Presidenti Trump këtë javë pohoi se Obama, Bush dhe ish-presidentët e tjerë nuk kishin telefonuar familjet e ushtarëve të rënë siç po bën ai, një pretendim që nuk është i vërtetë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG