Lidhje

Çështjet buxhetore të Shteteve të Bashkuara


Ligjvënësit republikanë po dërgojnë mesazhe të përzjera rreth predispozitës së tyre për të bërë kompromis me Presidentin Barak Obama lidhue me elementet e një marrëveshjeje për të ulur deficitin federal të Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na informon nga Uashingtoni se përpjekjet për marrëveshje që do të përmirësonte gjendjen fiskale të vendit janë fashitur për shkak të qendrimeve partiake në Kongresin e ndarë politikisht.

Për vite me radhë, republikanët kanë kundërshtuar ashpër ngritjen e taksave për të ulur deficitin. Republikanët nuk ishin në gjendje të pengonin ndritjen automatike të taksave për amerikanët me të ardhura më të mëdha në fillim të këtij viti. Por që prej atëhere, ligjvënësit republikanë nuk u kanë kushtuar rëndësi thirrjeve të Presidentit Obama për një kombinim të shkurtimit të shpenzimeve dhe taksa shtesë mbi të ardhurat për të ulur deficitin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Beinër, përsëriti qendrimin e tij për mosngritjen e taksave në programin This Week të kanalit televiziv ABC.

“Presidenti arriti ngritjen e taksave më 1 janar. Bisedimet për shtimin e të ardhurave kanë marrë fund. Tani është koha të përqendrohemi në problemin e shpenzimeve”.

Por një tjetër ligjvënës republikan tha se partia e tij mund të jetë e gatshme të shqyrtojë forma të ndryshme për rritjen e të ardhurave federale, nëse demokratët bien dakord për disa reforma kursimesh lidhur me programet e të ardhurave dhe kujdesit shëndetsor për pensionistët. Senatori Bob Korker foli në programin televiziv Fox News Sunday.

“Unë mendoj se nëse repbulikanët shikojnë reforma të mirëfillta të këtyre programeve, ata do të përpiqen me kënaqësi për reformimin e taksave që do të sillnin më shumë të ardhura. Kjo nuk do të thotë që taksat të ngrihen. Kjo do të thotë të shkurtohen shpenzimet a panevojëshme. Kjo do të thotë gjithashtu që të rishikohet sistemi i taksave në mënyrë që të kemi rritje ekonomike”.

Korker është vetëm një nga republikanët, por deklarata e tij u mirëprit nga Senatori demokrat Richard Durbin, i cili u paraqit po ashtu në programin Fox News Sunday.

“Mendoj se Bob Corker dha një përgjegje të ndershme dhe konstruktive. Dua ta falenderoj Bobin për këtë. Mendoj se ajo që sapo tha Bob Korker nga ana e tij, është një seri parimesh që të dy palët mund ta mbështesin”.

Gjatë tri vizitave në Kapitol javën e kaluar, Presidenti Obama u bëri thirrje ligjvënësve republikanë t’i japin fund kundërshtimeve për taksa të reja mbi të ardhurat, ndërsa u tha demokratëve se reformimi i programeve sociale është i pashmangshëm. Senator Durbini është dakord.

“Në 10-12 vjet, Medicare-i do të mbetet pa fonde. Kjo është e papranueshme. Ne duhet të sigurojmë se Medicare-i do të jetë për breza me radhë. Kjo do të thotë që të bëjmë disa reforma dhe disa ndryshime konstruktive”.

Këtë javë Kongresi do të punojë për fondet e qeverisë federale për pjesën e mbetur të vitit. Bisedimet për buxhetin ka të ngjarë të vazhdojnë për muaj me radhë.

Deficiti buxhetor i këtij viti parashikohet në 900 miliardë dollarë. Borxhi kombëtar i Amerikës i kalon të 16 trilionë dollarët.
XS
SM
MD
LG