Lidhje

Irani mohon çdo lidhje me komplotin në Kanada


Autoritetet kanadeze akuzojnë dy persona se kishin në plan të sulmonin një tren në zonën e Torontos me mbështetjen e elementeve të al-Kaidës në Iran

Irani mohoi çdo lidhje me një komplot të dyshuar për të nxjerrë nga shinat një tren kanadez udhëtarësh.

Autoritetet kanadeze akuzojnë dy persona se kishin në plan të sulmonin një tren në zonën e Torontos me mbështetjen e elementeve të al-Kaidës në Iran, edhe pse askush nuk ka pohuar se sulmet e planifikuara ishin të nxitura nga shteti iranian.

Ministri i Jashtëm iranian Ali Akbar Salehi e quajti pretendimin kanadez "trillim qesharak".

Irani dhe Kanadaja nuk kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 2012.

Policia kanadeze njoftoi të hënën se, me ndihmën e autoriteteve amerikane, ata ishin në gjendje të arrestonin 30-vjeçarin Chiheb Esseghaier dhe 35-vjeçarin Raed Jaser, përkatësisht nga Montreali dhe Toronto. Autoritetet nuk thanë se çfare kombësie janë të arrestuarit.

Policia tha në një deklaratë se të dyshuarit kishin "kapacitetin dhe qëllimin" për të kryer një sulm ndaj publikut, punonjësve të trenave, udhëtarëve ose infrastrukturës hekurudhore.

Autoritetet thanë gjithashtu se dy të dyshuarit ndodheshin në fazën e planifikimit të sulmit ndaj trenave të udhëtarëve në Toronto. Sipas hetuesve, komploti nuk kishte lidhje me sulmin e javës së kaluar me bomba në maratonën e Bostonit në Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG