Lidhje

23 akuza ndaj të dyshuarit për sulmin ndaj një gazete


Autorit të dyshuar të masakrës me armë në një redaksi gazete në Annapolis të Marylandit, iu ngritën të premten 23 akuza, përfshirë pesë për vrasje të shkallës së parë.

Sipas prokurorëve të Marylandit, 38 vjeçari Jarrod Ramos ishte ai që hapi zjarr në gazetën “Capital Gazette” në 28 qershor, duke vrarë pesë vetë.

Në akt-akuzë thuhet se Ramos u përpoq të vriste dhe një pjestar të stafit, fotografin Paul Gillespie, i cili deklaroi se besonte që Ramos e kishte qëlluar tek po përpiqej të largohej nga redaksia.

"Po vrapoja dhe nuk po shihja pas, por e dëgjoja që po më ndiqte", tha Paul Gillespie për Baltimore Sun. "Dëgjova të shtënë arme. Ndjeva një puhi erë në anën time të djathtë".

Gjatë sulmit me armë u vranë katër gazetarë, Rob Hiaasen, Wendi Winters, Gerald Fischman dhe John McNamara si edhe një punonjëse e marketingut Rebecca Smith.

Ramos kishte patur një përplasje të gjatë me “Capital Gazette” prej vitit 2011 lidhur me një shkrim të gazetës që përshkruante një akuzë penale ndaj tij për ngacmim kriminal. Ramos kishte paditur për shpifje, por pa sukses, gazetën dhe gazetarin që e kishte shkruar artikullin.

"Isha shumë i shqetësuar se ai do të na kërcënonte me dhunë fizike", tha Thomas Marquardt, ish-botuesi i gazetës, sipas Baltimore Sun. "I thashë edhe bashkëshortes: duhet të jemi të shqetësuar, ky djalë mund të na bëjë ndonjë të keqe të madhe”, tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG