Lidhje

Si i gjallë edhe i vdekur, Kastro përçan kubanët dhe politikën e jashtme amerikane


Në jetë dhe në vdekje, Fidel Castro i ndau kubanët - ata që mbetën në ishull me dashje ose padashje, dhe ata që ikën me varka, anije ose aeroplanë. Po kështu, politika amerikane i ndau kubanët në të dy anët e ngushticës së Floridës. Tani SHBA, e cila vitet e fundit ringjalli marrëdhëniet diplomatike me Kubën, është në prag të një ndryshimi të administratës që edhe një herë mund t’i ndryshojë këto marrëdhënie.

"Trashëgimia e Fidel Katsros padyshim do të jetë e komplikuar dhe përçarëse. Ai ishte një figurë polarizuese, por e fuqishme.", thotë Sarah Kinosian, një studiuese e çështjeve kubane në Zyrën për Amerikën Latine në Uashington.

Në Miami, zemra gjeografike e mërgatës kubane dhe qendër e ndjenjave kundër Kastros, grupe njerëzish dolën në rrugë para agimit dhe reagimi i tyre u nda mes atyre që e kundërshtonin udhëheqjen e Kastros, dhe atyre që mbanin zi për vdekjen e tij.

Fidel Kastro është i njohur ndërkombëtarisht, nga disa si i respektuar dhe nga të tjerë si i urryer. Vdekja e tij është njoftuar gabimisht shumë herë që nga viti 1960.

"Fidel Castro ka vdekur", shkruan Reinaldo Escobar, një gazetar në Havanë që ka një faqe internetit jo-qeveritare të lajmeve në vend. "Trishtim për disa, dhe kënaqësi për të tjerët, këtë herë lajmi është i vërtetë."

Për arësye shëndetsore, Fidel Kastro ia dorëzoi pushtetin vëllait të tij, Raul, dhe vendi hyri në një epokë përmirësimi të marrëdhënieve me Uashingtonin.

Tani, pas vdekjes së Fidel Kastros, analistja Sarah Kinosian mendon se “nuk do të shohim ndryshime masive brenda natës. Rauli është ende në pushtet deri në vitin 2018. Unë mendoj se çështja tani është nëse vdekja e Fidelit do të dobësojë ekstremistët që i rezistonin reformës."

Edhe Brian Fonseca i universitetit të Floridës, nuk beson se në Kubë do të ketë ndryshime të menjëhershme politike, por ndoshta do të krijojë hapësirë për ndryshime më vonë.

Por çdo të thotë fjala “ndryshim” për presidentin e zgjedhur të SHBA-së, mbetet e paqartë. Vitin e kaluar, zoti Trump tha se mbështeste prishjen e marrëveshjes me Havanën, për të arritur një marrëveshje më të mirë.

Ndërsa gjatë fushatës në Florida në shtator, zoti Trump shtoi se regjimi i Kastros duhet të përmbushë edhe kërkesat për lirinë fetare dhe politike për popullin kuban."

Të shtunën, presidenti i zgjedhur Donald Trump lëshoi një deklaratë duke e quajtur Fidel Kastron 'diktator brutal" dhe Kubën "ishull totalitar". "Kjo lloj deklarate përcakton përfundimisht edhe tonin e administratës së tij të re", thotë analistja Kinosian.

XS
SM
MD
LG